Persihatje (Ese) nga Ervin Hatibi II

Again I apologize for using these without the author’s permission. Please read, and use for reference and academic purpose only.

Gjithe kjo Ervino-mania eshte bere krijese e vecante me jeten e pavaresine e vet, dhe nuk ka lidhje tjeter me blogun tim, pervec faktit qe eshte pasqyruar ketu nga njohes e shijues se krijimtarise se Ervin Hatibit fare rastesisht dhe pa asnje qellim perfitimi. Sjellesi: man o’ the mountain/malcori.

Shijoni:

ÇALLMAT BOSH TË TERRORIZMIT”
(…dhe probleme të tjera në një letër kundër tendencave anti muslimane ne Shqipëri)

Po bëhen disa javë që kur opinioni publik shqiptar po bashkëjeton me panikun e terrorizmit islamik, një “terrorizëm islamik” krejt i veçantë: i mungon edhe “terrorizmi” edhe “islamizmi”. Por gjithsesi tmerron, ngjall frikë e urrejtje njësoj si terrorizmi, pra mençurisht ia arriti qëllimit edhe pa ekzistuar. Pasojat po vetëlindin pa shkakun.
Por si funksionon ky fiction, ky terror virtual? Ku ndodhet? Fillimisht dhe përfundimisht në faqet e gazetave më të mëdha të vendit ku kryetitujt premtojnë përditë për BOMBË!, TERRORISTË! ISLAMIKË! Më pas nëpër faqet e këtyre gazetave do lodhesh më kot për të gjetur ndonjë lajm a fakt terrori përmes togfjalëshave plot hipoteza, hiperbola e blasfemi. Boshllekun që diskrediton, e mbulojnë si gjithmonë tre-katër foto të njëjta mjekërroshësh të veshur me të bardha, ku lexuesi shqiptar dallon veçanërisht figurën e Bin Ladenit të Afganistanit, njeriut të vitit, të paktën në Shqipëri. Gazetarët sigurisht do të donin ndonjë terrorist të vërtetë, por në pamundësi për ta patur të gjallë apo të vdekur, veprojnë si paganët e vjetër që pikturonin në muret e shpellave gjahun që do të donin të kapnin në të ardhmen.
Kuadrin e ilustrimit kanë marrë përsipër edhe televizionet shqiptare. Terrorizmi islamik ka hapur edhe “numrat jeshilë” për terror telefonik 24 orësh pranë disa të përditshmeve kryeqytetase. Hot line islamik animohet veçanërisht nga një zë në dialektin kuptimplotë të Verilindjes së Berishës, që kërcënoi të përditshmen me “Atë që nuk ia bëmë (bamë) amerikanëve, do t’jua bëjmë (bajmë) juve!”! Për ta mbyllur pjesën e parë të kësaj letre, nënvizoj se disa njerëz me një gur të vetëm duan t’i vrasin të gjithë zogjtë. Por i vetmi “zog” që ata vrasin me siguri këto ditë është zogu i Kosovës. Alarmi i terrorizmit e ka spostuar vëmendjen e opinionit nga fëmijët e përgjakur të Kosovës, tek fëmijët e gjithkujt, që Bin Laden kërkon të vrasë përditë. Dhe për fat të mirë të kësaj loje, Bin Laden shpëtoi prej bombardimeve amerikane dhe gjithkush mund ta përdorë nga larg në kohë krize. Po të vdiste, duhej shpikur një tjetër, duhej nxjerrë një tjetër “djalë i keq” nga magazina me “deus ex machina”.

Duhet të falenderojmë Zotin që në Shqipëri nuk ka terror me motive fetare, dhe kjo është e vetmja gjë e cila të ngushëllon në të gjithë këtë fushatë antiislamike. Të paktën naiviteti apo indiferenca e qytetarit shqiptar, bën që ai t’i pranojë lajmet për terrorizëm, pa kërkuar fakte, që në këtë rast do të ishin aktet e terrorit me viktimat përkatëse. Qytetari mjaftohet duke lexuar në gazetë se islamikët i shpëtuan edhe kësaj here policisë, se ata u arratisën nga baza para se të vinte policia, se ata kërcënuan me telefon, se në fakt ata nuk kanë vepruar, por kjo nnk do të thotë se ata nuk do të veprojnë. Fakti i pamohueshëm se i vetmi akt terrorizmi, i pa marrë përsipër nga askush, është një eksplozion i lehtë në një kishë të qytetit të Shkodrës, tregon se forcat që prodhojnë terror, janë të paktën humane. Kërkojnë thjeshtë të legalizojnë e të familjarizojnë në Shqipëri termat “fondamentalizëm” apo “terrorizëm islamik”, pa bërë masakra e shkatërrime. Për këtë meritojnë një falenderim të sinqertë.
Në fillimet e kësaj fushate të psikozave të terrorit, paralajmëroja miqtë e mij artistë e gazetarë, muslimanë, kristianë e të pafe, se kjo fushate antiterror pa terrorin nuk mund të vazhdojë gjatë pa ndonjë Reichstag të tipit bombë në kishë, skemë tepër fëminore e po aq e pashmangshme. Prandaj janë për t’u falenderuar ata njerëz që deshën t’i kundërvihen në shtyp kësaj fushate të errët me alarme të terrorit inegzistent. Ata u treguan aq të mençur sa të ulnin kokat para fatalitetit: në momentin që do të dokumentonin publikisht se nuk ka terroristë pa patur terror, dhe nuk mund të ketë terror pa diçka që ta shkaktojë këtë gjendje, pa viktima a dhunë, fill pas kësaj loja mund të ashpërsohej vërtet. Heshtja e të mençurve mund të ketë qenë faktor që e bëri qesharake këtë fushatë të shtypit, duke e lënë të rrënohet me supozime e “ndoshta” që e lodhën opinionin qytetar, dhe i bënë autoritetet shtetërore të reagojnë duke mohuar publikisht shumicën e njoftimeve alarmante për terrorizëm islamik në Shqipëri. Por pas bombës në kishë, heshtja ndaj absurditetit të kësaj fushate, nuk është më mençuri, por dita-ditës kthehet në miratim a bashkpunim me këtë absurditet. Forca ende të paemërta, tashmë e kanë të gatshëm publikun e tmerruar prej medias, për të interpretuar çdo akt anonim dhune si terrorizëm islamik.
Autoritetet shqiptare po vihen përditë përpara fakteve të kryera nga mekanizmi i pakontrollueshëm i shtypit shqiptar e të huaj, dhe nesër mund të vihen edhe para presionit të popullit “ të sensibilizuar” që do të kërkoj të merren masa për të parandaluar veprimtarin e terrorizmit islamik. Dhe në pamundësi për të reaguar ndaj pjesës së padukshme, “terrorizmit”, reagimi mund të prekë pjesën tjetër (të dukshme) te togfjalëshit, “islamizmin” me njerëzit e institucionet e tij. Që të nesërmen e trishtuar të katastrofës në Kenia e Tanzani, një nga gazetat kryesore shqiptare sulmonte një shkollë islamike të qytetit të Elbasanit, duke e cilësuar në kryetitullin e faqes së parë me shkronja të mëdha “Këtu mësojnë ata që venë BOMBA”. Të nesërmen po kjo gazetë që kryeson koalicionin qeverisës, lajmëron për mbylljen e pesë shkollave të mesme muslimane. Shkrimet nuk japin asnjë fakt se kush nga nxënësit muslimanë shqiptarë të këtyre shkollave ka vënë bomba, dhe as nuk thuhet se ku plasën këto bomba, thjesht artikujt duke u përpjekur të reagojnë, ofrojnë falas mënyra të rrezikshme mendimi. Shenja të tilla barazimi midis Islamit edhe terrorizmit, karakteristikë e faqeve të para të gazetave të këtyre javëve kanë spostuar dukshëm kufirin midis emocionales dhe llogjikes në dëm të kësaj të fundit. Për arsye të paditurisë e cila nuk është virtyt, apo të ndonjë fobie a dashakeqësie fraza të tipit “dhunë në emër të Allahut” apo “atentate made in Allah” (kjo e fundit përbën kulm!) po ngulisin idenë se terrorizmi është ndoshta pjesë e ritualit të besimit islam! Krahas kësaj, por jo më pak e pasaktë, paraqitet me një egzotizim të sforcuar e banal pamja e “islamikëve” si ca UFO me “çallma” e “ferexhe të bardha” e “mjekrra të zeza”, kur është fakt se në Tiranë të vetmit që kanë zgjedhur të vishen me “çallma” e “ferexhe të bardha” janë dy muslimanë tiranas, njëri i quajtur Enver, tjetri Robert. Para disa ditësh, një gazetë nga më të shqetësuarat për terrorizmin, boton foton e njërit prej tyre në faqe të parë, me diçiturën–scoop: “Islamik, dje në rrugët e Tiranës”. Përdorimi i formës “islamik” si emërzim, është abuziv, kur emri për besimtarin e islamit është musliman dhe ky është i vetmi sipas fjalformimit arab me parashtesën “mu” (p.sh safar-udhëtim, musafir-udhëtar, etj). Përdorimi i formës “islamik”, kërkon përpara doemos një emër dhe në momentin që gazetat shqipëtare kanë nisur këtë term edhe në kontekstin terrorist edhe në kontekstin religjioz, nën këtë fjalë tashmë lexuesi kupton ç‘të dojë, si terroristin ashtu edhe muslimanin. Ose në rastin më të mirë krijohet ideja se “musliman” e “islamik” janë gjëra të ndryshme a të kundërta. Kaosi shtohet kur herë-herë besimtarët shqiptarë përkufizohen nga shtypi si “muhamedanë” (term i huaj për fenë isalme). Në mënyrën si shpërndahen këto kategori përgjithësisht kupton se “musliman” e “muhamedan” është simbolikë për të përcaktuar prejardhjen e shumë shqiptarëve, kurse mbiemër-emri “islamik” ka nisur të grupojë nën vete terrorizëm, fondamentalizëm si dhe arabë, njerëz me mjekrra, praktikantë e shkolla fetare. Nëse një musliman është arab, ky bëhet direkt “islamik”, kurse një shqiptar vazhdon të jetë vetëm musliman për sa kohë nuk studion në një shkollë të finacuar nga arabët, të cilët shtypi mund t’i emërtojë edhe thjesht “çallmat” a “mjekrrat” siç emërtohen “kaska blu” paqeruajtësit.
Paraqitja si kombësi e fjalës “islamik”, bën që nga një grup prej 100 mafiozësh të arrestuar në Itali për krime të lidhura me drogën e prostitucionin, gazetari shqiptar të cilësojë 15 prej tyre “islamikë” (ndonëse thjesht egjiptianë, marokenë, tunizianë) kurse kusurin jo si “kristianë”, por me kombësitë e tyre spanjolle, italiane, shqiptare. I të njëjtit keqinterpretim është edhe një tjetër alarm i shtypit se “islamikët” në Shqipëri ua kalojnë në numër shtetasve italianë apo grekë (të marrë veç e veç) që kanë aktivitet tregtar a bamirës e misionar. Mos vallë harrohet se “islamikët” vijnë nga një duzinë shtetesh të ndryshme të Azisë e Afrikës, dhe grekët e italianët, po t’i gruponim nën shenjën fetare me të huajt e tjerë që jetojnë në Shqipëri do të kishin një shifër goxha më të madhe “kristianësh” . Ç‘po ndodh në Shqipëri? Mos pak nga pak po shkohet drejt terminologjive gjithnjë e më të sakta, e pas pak nuk do dëgjojmë më fjalën “islamik” por edhe barbar, i pabesë a pagan si në Mesjetë? Ky nuk është parashikim edhe aq i tepruar kur sheh se si në fund të viteve ’90 gazeta shqiptare të proklamuara liberale a progresiste bien gjithnjë e më shpesh në gropën e racizmit e ksenofobisë e intolerancës fetare kur shkruajnë: “të zinjtë” e “antetateve”, “killer me kuran”, “allahu” i ardhur nga Arabia, apo kur guxojnë të përflasin martesat e vajzave shqiptare me othello “të zinj” me? “çallma”. Të infektuar nga ky virus e quaj edhe ndalimin për të hyrë në Shqipëri për të huaj “islamikë” e me ngjyrë. Në pikat kufitare kriterin e të dyshimtëve e kanë plotësuar (sipas shtypit) marokenë, pakistanezë, e turq (që gazeta i quan të gjihtë “arabë”) por edhe shtetas të Afrikës së Jugut me emra të “pafajshëm” Bruno e Alete, me ngjyra të dyshimta, të cilët vijnë me avion deri në Tiranë për të vërtetuar një akt apartheidi.
Në gazetat e Tiranës përditë e më shumë muslimanët po shohin eksperimente stilistikore ku fryhet emri liturgjik i Zotit me një guxim të cilin në fushën e gazetarisë e kanë vetëm reporterët e frontit. Megjithëse tmerrojnë publikun përditë me rrezikun e terroristëve islamikë që vrasin në emër të Zotit, këta gazetarë që do të ishin përballuar me ligjin në çdo vend normal të Perëndimit e të Lindjes, fyejnë lirshëm më të shenjtën shenjë për besimtarët muslimanë, emrin Allah. Të mos harrojmë se në Amerikë, gjigandi i prodhimeve të veshjeve sportive “Nike” u detyrua të nxirrte nga qarkullimi 1,2 milion egzemplarë të një produkti të vet që u akuzua se provokonte besimtarët me një dekoracion ku shembëllehej fjala Allah. çështje të tilla lidhur me keqpërdorimin e emrit të Zotit (Allah arabisht d.m.th Zot) ka patur në Japoni e në vende të Europës perëndimore ku muslimanët përgjithësisht janë emigrantë ekonomikë. Kurse në Shqipëri, ku ata përbëjnë një shumicë vendasish, të përditshmet më të mëdha ua vendosin emrin e Zotit nëpër kontekste politike, kriminale apo qesharake. Para disa vitesh policia shqiptare torturoi tre adoleshentë muslimanë që të pranonin se kishin gërvishtur ikonat e një kishe orthodokse, ndërkaq që prej vitesh askush nga ata gazetarë që gërvishtin në zemrën e muslimanëve emrin e shenjtë për ta, nuk merret në përgjegjësi. Shembuj të kësaj dhune ka vërtetë shumë (mund të vërehen edhe në paragrafët e mësipërme), por për të dalë në një temë tjetër po rradhis vetëm një kryetitull të freskët të një gazete të madhe: “Berisha, hetim për Allahun”. (Është e vështirë për çdo musliman normal të ritransmentojë blasfemi, por në këtë rast është e pamundur). Emri i Zotit merr ngjyrime e kuptime fyese, me të cilat përzihet edhe figura e ish-presidentit shqiptar, figurë që prej vitesh shoqëron shumicën e qëndrimeve publike ndaj besimit Islam në Shqipëri. Në fakt ky shoqërim që i bëhet Sali Berishës me Islamin është i pasaktë e i panatyrshëm, dhe ka rrezikuar që dashakeqësit t’i indetifikojnë muslimanët shqiptarë me personin e tij politik. Sigurisht S.Berisha mban një emër të traditës muslimane, dhe ka intesifikuar marrëdhëniet e nisura nga pushtetarët para tij me Konferencën Islamike, ka liberalizuar hyrjen e të huajve në Shqipëri, nga e cila mund të kenë përfituar edhe kriminelë të të gjitha përkatësive po kjo është ende pak për t’i veshur atij “çallmën islamike”. Ai mund të ketë përmendur shpesh Zotin në fjalimet e tij, por gjatë viteve të pushtetit të vet, që duan të na e paraqisin si “fondametalist”, Komunitetit Musliman nuk iu kthyen as trojet e ish-xhamive e jo më prona të tjera, një shoqatë kulturore muslimane doli nga ligji, u mbyllën shkolla fetare, dhe nuk u njoh kurrë e drejta e besimtarëve muslimanë për të kremtuar gjysëm ore në javë lutjen e të premtes. Tashmë e djela e shenjtë (holiday) është pushim për të gjithë, dhe të krishterët mund të shkojnë po të duan në meshë, por në mesditën e të premtes, shteti i Berishës islamik nuk legalizoi asnjëherë gjysëm ore pushim për ata shkollarë a punonjës shteti, muslimanë, që të mund të faleshin pa pengesa në xhami, ditën e tyre të shenjtë të xhuma, një shkelje e përjavshme e të drejtave të njeriut që nuk u fut në asnjë listë të tillë. Në kohën e kësaj qeverisjeje, një politikan u burgos se quajti Berishën “vrasës” apo “kriminel”, por askush nga ata që publikisht nxisnin urrejtje fetare askush nga fyesit publikë të Islamit nuk u vu para ligjit. Berisha në fakt ka kremtuar të gjitha festat e feve dhe sekteve zyrtare në Shqipëri, dhe është shërbyer politikisht në të gjitha llojet e faltoreve, dhe më tepër se musliman me sjelljen e tij herë-herë ngjan me një gnostik a baha’i. Feja islame nuk është e detyrimisht ajo që të tjerët dijnë apo fantazojnë vetë; Islami është vetëm ai që buron nga Kur’ani dhe tekstet e sakta të Traditës Profetike (Hadith), që janë të përkthyera në një shumicë gjuhësh për të gjihtë njerëzit, pa ndonjë sekret të mëtejshëm për persona të veçantë. Kështu që as Berisha, as të tjerët nuk mund të përfaqësojnë lidhje me Islamin jashtë ligjeve e praktikave islamike të njohura botërisht. Të njëjtën gjë mund të them për lidhje të tjera të dhunshme që i bëhen në Shqipëri besimit islam me parti a personalitete a ide të së djathtës politike a të nacionalizmit. Ky është një keqkuptim tashmë i njohur edhe në vende të tjera të botës ku parimet muslimane janë përpjekur t’i kombinojnë me idetë socialiste (shembull tipik republika Socialiste Islamike e Libisë). Muslimanit normal i rrijnë të ngushta kostumet ideologjike a nacionaliste. Në fakt i vetmi atdhe që ata i premtojnë besnikëri është Xhenneti (parajsa) dhe e vetmja ideologji, besimi në Zot, me politikë harmoninë më natyrën e marëveshjen me njerëzimin. Përtej gjithë filmave me bomba e me terroristë e politikanë, akuzat ndaj “islamikëve” patjetër duhet të kalojnë edhe testin e “ realiteteve të tjera” të padukshme. Nuk duhet harruar që muslimanët janë besimtarë për të mbajtur emrin muslimanë, dhe në besimin e tyre qëllimi nuk e justifikon mjetin; ai është pjesë e tij.
Muslimanët shqipëtarë praktikisht kanë nisur të ngjajnë me një komunitet të diskriminuar kulturor e politik, ndonëse disa statistika vazhdojnë t’i parqesin si faktorë vendimtarë, (por edhe kjo përdoret për keqen e atyre vetë). Publikisht ata fajësohen prej vitesh si shkaktarë të prapambetjes së vendit, si faktorë të injorancës. Prej vitesh ata akuzohen se “po na mbajnë larg Perëndimin” duke qenë tradhëtarë të fesë së parë e bashkëpunëtorë të turkut. Feja e tyre është tallur e ata vetë janë fyer deri duke i bërë pasardhës të haremeve të sulltanëve. Muslimanëve shqiptarë, shkurt, u bëhet me dije se jane në një vend të papërshtatshëm, në një kohë shumë të papërshtatshme. Në Shqipërinë e betejave kundër komunizmit e antikomunizmit, u harrua se antiislamizmi është i barabartë katërcipërisht me antihumanizëm e antidemokraci.
Të tulatur nën një stinë kaq të gjatë terrori psikologjik e shantazhi moral, që po acarohet më tepër, muslimanët shqiptarë po e fshehin identitetin e tyre. Në Shqipëri sot është koha kur prindërit ndalojnë bijtë të shkojnë në xhami “se mos bien në sy për keq”, kur familjet ushtrojnë edhe dhunë fizike ndaj vajzave që nuk pranojnë të heqin shamitë nga koka. Sot shqiptarët po i ndryshojnë emrat e tyre muslimanë, jo vetëm për shkaqet e njohura të injorancës në Greqi por edhe për t’u integruar në jetën publike e intelektuale të vendit. Një shembull ironik të këtij vetmohimi jep editorialisti i një gazete të këtyre ditëve i cili përditë nënshkruan me emrin e tij musliman. Por ditën që iu desh të shkruajë se “ duhet të gërmosh me orë e orë të tëra në regjistrat e rinj të gjendjes civile për të gjetur një fëmijë të sapolindur me emër islam”, “duhet të kërkosh me qiri në dorë për të gjetur një perçe”, këtë ditë për t’u bërë i besueshëm nënshkruan si asnjëherë më parë e më pas, vetëm me inicial duke fshehur emrin e përditshëm islamik, me të cilin jemi mësuar ta vlerësojmë. Për të mbështetur idenë së ky vend nuk ka përcaktueshmëri muslimane nuk është nevoja të marrim qiririn e të maskojmë emrin, por më thjesht mund citojmë fenomenin antiislamik të fajdeve ku u përfshi shumica e shqiptarve, mund të citojmë shifrat e eksporteve në disa mijë prostituta, numrin shqetësues në dhjetra mijë aborte e përdorues droge, shifrat e pabesueshme ditore të shitjes së alkoolit, numrin e shtëpive të bixhozit, numrin 46 të viteve diktaturë komuniste, e 23 të viteve të ateizmit të cilat asnjëherë nuk jane karakteristikë për “vende muslimane” që prodhojnë “fondamentalizëm”. Por ama edhe këto statistika nuk do të na shërbenin për tjetër gjë, vetëm se për të zbuluar se jetojmë në vite të mbrapshta, dhe se shqiptarëve po u kushton shtrenjë zgjedhja e materializmit dhe neglizhenca ndaj religjioneve të tyre, apo filozofive të përgjegjshme. Këto shifra të hidhura nuk mendoj se shërbejnë që një kryetar partie për të drejta njerzore të na çudisë duke nxjerrë se muslimanët shqiptarë qenkan tkurrur në 50%, dhe prej tyre më shumë “ateistë” e “jopraktikantë”, ndërkaq që gjysma tjetër e supozuar ishin besimtarë kristianë praktikues! Bile shumë fshatarë sipas këtij kryepartiaku, ishin shprehur se kishin refuzuar fenë që u kujtonte pushtimin turk, për t’u futur në 50% tjetër si besimtarë praktikantë të fesë së të parëve! Studime të tilla amatore sigurisht nuk tregojnë gjë veç joseriozitetit, padurimit dhe subjektivitetit të nxehtë, i cili më ngjall një ndenjë (jokomode) humori. Nëse institucione të specializuara do të tentojnë të bëjnë statistika edhe numërime për realitetet e reja edhe në përkatësitë fetare, bëhet mirë të pritet sa të kapërcehet faza e konsolidimit të institucioneve, që të mund kemi rezultate të pakontestueshme, afër realitetit. E kjo nuk mund të ndodhë tani afër, siç po dëgjojmë, në një kohë kur në një vend si Shqipëria gjithë llojet e votimeve (parlamentare, lokale, referendume) që nga 1991e këtej kanë rezultuar problematike a të cënuara. Gjëja më e bukur që ka “studimi” i pesëdhjetëpërqindëshave, është në fakt klasifikimi në praktikues e jopraktikues të fesë (ndonëse tentativa bëhet vetëm në një krah). Por, të mos jesh praktikant i një feje kjo nuk të bën jobesimtar. Të dyja, si besimi edhe praktikimi i fesë, janë një unitet për të përcaktuar religjiozitetin, por të besuarit është caku, parakushti i parë. Të paktën në Islam, ai që beson se ka vetëm një Zot, dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij, me anë të të dëshmuarit të kësaj, quhet musliman. Prandaj askush nuk mund ta reduktojë numrin e muslimanëve, duke llogaritur vetëm praktikantët si besimtarë.

Viktimizimi i vetes, nxitja e psikozave të të qenit i rrezikuar apo diskriminuar, kanë rezultuar truke foshnjërake për të mbuluar viktimën e vërtetë dhe rrezikun e vërtetë. Kjo të paktën është parë e suksesshme dikur për nazifikimin e antisemitizimin e Gjermanisë, ku gjermanë të rrezikuar i dogjën në zjarr hebrenjtë e librat e tyre të rrezikshëm. Kurse sot këtë teknologji të vjetër, në përgjithësi njerëzit e dyshojnë dhe refuzojnë si djallëzore. Gjithë këto fushata për “riparimin e historisë”, për “perëndimin e kërcënuar” dhe “Islamin e dhunshëm”, thjesht kanë ngjallur interes për t’u informuar më tej para se të pozicionohesh si “shqiptar i mirë” (properëndimor) a si “ keq” (properëndimor me kusht) ose “edhe më i keq” (islamik!!!). Bëj këto sqarime që t’u lutem atyre që lexojnë këtë letër, të besojnë se nuk është në qëllimin tim viktimizimi i muslimanëve shqiptarë, por nëse del kështu, kjo është krejt normale, krahasuar “demonizimin” e historisë dhe të së tashmes e me “plagët” e supozuara të së ardhmes që imponohen prej fobive të properëndimorëve pa kushte. Fundja faktet nuk mund të interpretohen përherë vetëm për të vërtetuar eskluzivitetin e një ideje, përndryshe mund të bëjmë dhe pa faktet. (Sipas traditës muslimane, edhe djalli duhet dëgjuar nëse qëllon të thotë të vërtetën). Nëse unë sërish këmbngul se muslimanët e Shqipërisë po i konsiderojnë e po i kthejnë në një minoritet kulturor e politik të kërcënuar, megjithëse presupozojnë shumicën, kjo nuk çudit njerëzit që dijnë për natyrën e vërtetë të medias e institucioneve që përcaktojnë klimën kulturore e politike në një vend ku qytetarëve ka vetëm 8 vjet që u është lejuar përdorimi i fjalëve “demokraci”, “Zot”, “të drejta njeriu”. Dhe afërsisht po kaq vite ka që muslimanëve u përsëritet haptas shantazhi se Europa (që na mban me bukë e na ruan nga serbi) nuk na do muslimanë, prandaj fenomeni islamik na izolon nga perëndimi, dhe ky izolim është varfëri, diktaturë e luftë. Prandaj muslimanët duhet të ndihen në faj, dhe të fshehin apo braktisin fenë…lirisht, ose ta reduktojnë në ëmbëlsirën e datave festive. Muslimanët janë “kushërinjtë nga provinca” që të prishin reputacionin, prandaj sulm kundër identitetit e historisë së bashkëqytetarëve të tu si e si të meritosh emrin “europian”, i cili në Shqipëri konceptohet si një profesion, më tepër se diçka e lindur! Kjo lloj situate, kur një pakicë e përkrahur, ushtron dhunë psikologjike mbi shumica të heshtura e të frikësuara, ka shkuar pak nga pak deri aty sa muslimanët të konsiderohen as si minoritet, por si inegzistencë. Ndryshe si do arrihej që Skëndërbeun, heroin e fëmijërisë së çdo shqiptari, ta nënvizojnë jo si hero kombëtar – mbrojtës të vendit nga huajt, por si mbrojtës të krishterimit, të cilin fqinjët tanë e mbrojtën shkëlqyeshëm duke paguar xhizen, pa luftë e rrënim. Ky nuk është vlerësimi i duhur për Skëndërbeun , të cilin ideologët e Rilindjes Kombëtare nuk e nxorrën nga harresa për t’ia falur krishtërimit ( i cili mund ta shpallte Shenjt për ndihmën e sakrificën për një mbrojtje aq të kushtueshme); nëse figura e Skëndërbeut shërbeu si shtyllë për ngrehinën e Rilindjes, ku merrje shembullin për luftë kundër shtypjes nacionale, (në një kohë kur identitetet fetare po zëvendësoheshin me ato kombëtare) le ta respektojmë për këtë dimension. Por nëse fetarja do të ngrejë kokë mbi kombëtaren, qoftë edhe për hir të së vërtetës, kjo mund të jetë normale vetëm në ambientet fetare të kristianizimit. Ndryshe muslimanët shqiptarë nuk kanë pse të njohin për hero edhe të tyre një njeri që sa herë përmendet, përmendet si mbrojtësi i një feje tjetër, dhe të cilin ndonjë “rilindje” tjetër “kombëtare” mund ta përdorë kundër tyre. (Në fakt në një revistë serioze kohët e fundit mund të lexosh për thelbin antiislamik të Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve).
Idenë se në Shqipëri muslimanët po trajtohen si hiç, nuk ta japin veç blasfemitë e sulmet e drejtpërdrejta të medias, apo tentativa për t’i përzënë nga indetifikimi me vendin e historinë e përbashkët, as mungesa minimale e deçenses apo tolerancës ndaj tyre në institucionet publike. Në Shqipëri përkthehen e botohen libra me pasazhe fyese për Islamin e profetin e tij, dhe botuesit nuk kanë minumin e qytetarisë sa për të vënë bashkë me copyright-in shënimin se idetë e autorit nuk janë doemos edhe të botuesit. (Shënim të cilin poeti i njohur R. Z. do ta krahasonte të nevojshëm po aq sa këshillat kundër duhanit mbi paketat e cigareve). Unë nuk e di ç‘ka bërë Selman Rushdie i shkretë në gjithë librin e tij më tepër se ky paragraf i një ish-disidenti që e shohim përnatë si gazetar të njohur në Tv shtetëror shqiptar.
“…Nje tjetër kronist,…që mbulon orën e shpirtit për të gjitha fetë, e merr gati përdore drejtorin e përgjithshëm të televizionit shqiptar deri në Republikën Islamike të Iranit. (“Unë i shërbej drejtorit, drejtori më do mua” Syre el Insan). Dhe si për të na mbushur mendjen se ishte një vizite pune, nënshkruan një protokoll marrëveshje! As Muhamedit, që ka shkruar librin e shenjtë nuk i janë dashur kaq ditë. Mirëpo ka ca “haxhinj” në …”(“1300 ditë verbëri”, faqe 23, libër i botuar nga një shtëpi e njohur, ndihmuar nga një fondacion shumë i njohur).
Në fakt nuk egziston asnjë fjali e tillë në Sure El Insan apo më tej. Dhe profeti Muhammed (s.a.u.s) nuk ka shkruar ndonjë libër të shenjtë (kështu të paktën besojnë muslimanët që përbëjnë më tepër se 50% të popullsisë së vendit ku botohet kjo fyerje për ta). Nëse autori bën fjalë për Kur’anin, ky libër është zbuluar për 23 vjet, dhe jo për më pak se 14 ditë. Pra e gjitha kjo është një tallje blasfemike që dhunon besimtarët, të cilët mbase autori nuk i ka llogaritur fare tek të gjallët, kur prodhonte këto ironi prej diletanti. Në vitin 1993 të qeverisjes së “islamikut” Berisha (regjim që sulmon libri i verbërisë) një shoqatë rinore muslimane u nxorr jashtë ligji për nxitje të urrejtjes fetare, vetëm se botoi në një libër përgjigjet me të cilat një musliman i thjeshtë duhet të përballonte dyndjen e misionarëve të dhjetëra sekteve evangjeliste që ato vite i gjeje kudo jo vetëm nëpër rrugë e stadiume por edhe në derën e shtëpisë me mesazhet e botimet e tyre. Ndërkohë prej vitesh në mes të Tiranës do të gjesh të hapur një librari pranë një qendre të misionarëve ku mund të blesh mes dhjetëra librave fetarë, botime me përgënjeshtrime të argumentave të Islamit, apo për lumturinë e disa afrikanëve të varfër që kanë braktisur fenë e muslimanëve për të përqafuar fenë e vërtetë. (Në Shqipëri veprojnë të regjistruara më tepër se 60 shoqata kristiane si dhe afërsisht 20 të tilla muslimane, duke llogaritur në të dyja rastet edhe shoqata të huaja).
Në Shqipëri është tepër i madh numri i padive dhe gjyqeve ndaj gazetave që kanë botuar shpifje a fyerje. Kurse për muslimanët në shtypin shqiptar veç artikujve me tituj pikante, botohet edhe një poezi e lezetshme pa atë minimumin e nevojshëm të njerëzisë për të parashikuar se dikush, njeri në punë të vet , mund të fyhet pa qenë e nevojshme. Vargu i parë i poezisë të kujton një varg të mrekullueshëm nga Seferis. Kusuri përpiqet të të kujtojë se je i huaj në vendin tënd, (po ishe aq i mjerë sa t’i marrësh seriozisht këto gjëra) . E shkruan një femër (sqarim i panevojshëm për pjesën më pak të nevojshme të letrës).
“E dua shumë Shqipërinë, dhe nëse do të largohem, do jem e gjymtuar…/…Ne jemi bijt e saj/S’jemi barbar/Dikur dikush mori fjalën si shpatë/E shkeli në shekuj por u largua prapë…/Dhe la pas xhamitë …/…Kujtoja pushtimin osman/Ai historisë nuk i mori asgjë/Përveç se tregoi për të/Kultura është e lashtë…/Atëherë ç‘duhen xhamitë?!/ Ne kemi patur një fe, shqiptarizmën/Falna o Jezu Krisht, na fal ne/Shqipëria do të bëhet me bekimin tënd/Ajo që ke menduar, pa barbar/…E dua Shqipërinë/Dhe miku im e do/Edhe pse nuk është shqiptar/Por e mundon diçka që gllabëron/…Ne jemi bijt e saj s’jemi barbar/Për të i falem Jezu Krishtit/… Udhëtojmë drejt Janinës me një këngë historie…”etj.
Muaj më parë kur e lexoja këtë poezi midis ca artikujve banalë me politikë, thjesht qeshja me vete nga ca përfytyrime të tipit “on the road”, ku vajzës për fat të keq i shfaqen nëpër udhëtim në vend të moteleve me neonë muzgu, ca xhami fshatrash, e barbarë me mustaqe në vend të autostopistëve, dhe mikun e huaj përbri, “ e mundon diçka që gllabëron” të cilën vajza e pafajshme e interpreton si ndonjë ethe shqiptarizmi. Sigurisht nuk mund ta gjykojmë ashpër vajzën me mikun e vet të huaj, në një poezi që udhëton drejt Janinës (ku si një surprizë e hidhur do t’i presë edhe aty një xhami), puna është se sa lirshëm gjejnë vend në shtypin shqiptar disa përgjegjësi kaq të rrezikshme: të ngacmosh muslimanët mu nën hundën e “terrorizmit islamik” që ndodhet në Shqipëri.
Por në këtë vend nuk është se shumëzohen me zero vetëm muslimanët, në shpifjet e talljet për ta. Injoranca arrogante apo e qëllimshme e publikuar gati përditë në dritën e diellit, po krijon idenë se në Shqipëri, nuk ka njerëz normalë e të logjikshëm. Që të reagonin se terror po bën media përditë, e jo katër “islamikë” të rrëmbyer në mënyrë të paligjshme, apo dy vetë të veshur me të bardha që ecin rrugëve, (sikur kriminelët të kishin patur shenja identifikimi të tilla, nuk do kishte më krime). Apo të protestonin se është fyese për shqiptarët të lexojnë gënjeshtra të tilla si kryeartikuj në gazetat më të shitura që viktimizojnë Shqipërinë se është futur në Konferencën Islamike, anëtarët e së cilës “e kanë zëvendësuar kushtetutën me dokumentin e shenjtë të Kur’anit” (kush kështu Egjipti? Libia? Indonezia? Etj e etj ). Në një lirshmëri të tillë gazetarja apo redaktorja e faqes antiislamike të një gazete të madhe, rren se Shqipëria është pas Afganistanit, vendi i dytë në botë i parekomanduar për turistët, kur në Kosovë e Kongo vriten njerëz përditë. Po në këtë gazetë lexon se “ malet e NATO-s” (emër për malet e Bizës) u vëzhguan mirë para manovrave ndërkombëtare, nga frika e mbetjeve të terroristëve islamikë që ishin “dislokuar” ( !!!) në Shqipëri. Apo lexon se të gjithë aktet terroriste të viteve të fundit (autobomba në Tiranë, dhe shpërthime lokalesh etj) të cilat në kohën e udhëheqjes së Berishës i faturoheshin “terrorit komunist” tashmë u kalohen armiqve të rinj islamikë, meqënëse dihet botërisht se arabët janë mjeshtra për këto punë! (Kurse një gazetë tjetër hedh hipotezën se islamikët po bashkëpunojnë me komunistët shqiptarë kundër amerikanëve!). Edhe më skandaloze bëhen këto përçartje kur gazetarët përpiqen t’i hyjnë mistikës e teologjisë për të bërë ndonjë lodër më piktoreske e të besueshme duke na treguar se çdo të thotë “xhihad”, “shait” (shehid) për rituale që përfundokan në vetvrasje, apo për “ Pejgamerin, djalin e Muhamedit” (si?si?) të cilin e mohokan “selefinjtë” e rezikshëm apo për “xhihadinj” (tjetër term i sajuar). Këto ditë bile, pasi kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar është quajtur në shtyp nga një politikan “imzot haxhi Sabri Koçi” një gazetare arrin në përfundimin lehtësues se “muslimanët shqiptarë nuk kanë lidhje me islamizmin”dhe “islamikët”. (Në fillim të këtij shkrimi tregoja për kalimin abuziv e qëllimkeq nga “terroristë islamikë” në thjesht “islamikë”. Konfondimi ia ka arritur qëllimit; puna ka arritur aty sa për të njëjtin ngjyrim të rrezikshëm po përdoret forma “muslimanët”. Shembull titulli i një gazete: “Rinasi mbyllet për muslimanët”). Është e vërtetë fyese që shqiptarët shërbehen përditë nga disa gazetarë e analistë që përtej emrave të modifikuar, s’janë veç disa “çuna e goca” fare të rinj në moshë, përgjithësisht të paarsimuar deri në fund, që pasi kanë tentuar me letërsinë, janë dorëzuar në dispozicion në pikat e grumbullimit të gazetarëve (dy-tri kafene tiranase), për të çuar para gazetarinë shqiptare me të vetmet mjete që njohin: opinionet e shefit, intervistat dhe “burimet e pakonfirmuara” apo “që s’duan të identifikohen”. Përgjithësisht të kaluar nga provinca përmes atmosferës perverse të konvikteve a shtëpive me qera (karakteristikë e këtyre viteve), kanë ndikuar në vulgarizimin e komunikimit masiv, duke imponuar përditë “thyerje tabushë” e një moral “tjetër”. Papërgjegjsia e rrogëzimi i fjalës, përzier me pushtetin e medias dhe të ndonjë “ajsbergu” shumë të përfolur, përbëjnë një koktej shpërthyes në një vend ekuilibresh si Shqipëria.
(Shembujt e mësipërm në tituj, paragrafë, si edhe poezia janë marrë nga botime të një harku kohor prej gati një viti, të cilat munda t’i disponoj. Një analizë më e hollë e më përfshirëse e këtyre fenomeneve do të ishte jashtë mundësive të mija).
Si një çështje të fundit do të prek tendencat për të gjetur shkakun e të gjitha problemeve të Shqipërisë tek “incidenti” i islamizimit (të dhunshëm sipas mbështetësve të kësaj teorie) të shqiptarëve, dhe tendencën anti për të gjetur tek ky incident (paqësor kësaj here), mirësi të mëdha që kulmohen me ruajtjen e identitetit kombëtar mes fqinjeve asimilues të fesë kristiane.
Në zhvillim të idesë së parë kanë dalë më tepër liberalë e properëndimorë me bindje të ndryshme që mbajnë më tepër emra të traditës kristiane. Kurse teorinë e leverdisë kombëtare të islamizmit, e rrjedhimisht islamizimin paqësor të shqiptarëve e mbrojnë patriotë dhe nacionalistë (ndonjëri i deklaruar publikisht si ateist) me emra të traditës muslimane. Në aspektin shkencor, për çështje të islamizimit të shqiptarve, dhe ndikimet e shumëllojshme të këtij procesi në rrjedhat historike, mund të mbështetesh në të gjitha procedimet që shkencat lejojnë, por vështrimet politike e të politizuara mbi këtë “incident” rrezikojnë të dalin pothuajse të gjitha nga tema. Po flitet (në çdo rast!) për religjion, për besim! Islamizimi i shqiptarve është thjesht një fakt i pandryshueshëm, i hershëm dhe i ri, që ka kaluar në shumë faza, dhe përcakton profil për Shqipërinë si edhe për një shumicë të shqiptarëve. Të cilët janë fizikisht tepër larg nga përgjegjsitë për islamizim të dhunshëm a paqësor, dhe sigurisht indiferentë (e plot mëshirë) ndaj njerëzve që besimet apo realitetet shpirtërore të tjerëve i shohin si pengesë për t’u realizuar a identifikuar. Ku i dihet, mbase vërtetë mund të interpretohet si i dhunshëm, ndonjë moment nga procesi shekullor i islamizimit të shqiptarëve, por kjo do të binte në kundërshti jo vetëm me ligjin kuranor “Nuk ka dhunë në fe”, por dhe me logjikën e ngjarjeve e me tekste të shumta, që i gjen dhe në shqip. Nëse interpretohet si dhunë xhizja, taksa e mbrojtjes që jomuslimanët paguanin për të mos shërbyer në ushtrinë e një shteti islamik, kjo gjë nuk islamizoi dot as kristianët e tjerë të Ballkanit, e as kristianët e Irakut, Palestinës, Libanit, Egjiptit etj, Që janë kristianë sot e kësaj dite dhe mund ta kenë paguar xhizen për mëse 1000-vjet. Edhe muslimanët paguajnë zekatin (kusht i fesë Islame), si kontribut për shoqërinë, kurse sot mund të themi se pagesa përbën një alternativë ndaj shërbimit ushtarak në shumë vende të zhvilluara. Bile sa për hollësi liria e besimit nën perandorinë Osmane bëri që p.sh. mirditorët katolikë të Shqipërisë, të mos paguanin xhizen, por të preferonin të kryenin shërbimet ushtarake për sulltanët; (kapedani i Mirditës, Lleshi i Zi ishte ai që vrau në luftimet përkrah turqve heroin e revolucionit grek Marko Boçari, edhe ky shqiptar). Në të njëjtin shekull kur kreu i Orthodoksisë fqinjëronte në të njëjtin qytet me sulltanin musliman që kishte pushtetin, në skajin tjetër të Europës, prisheshin xhami e sinagoga, dhe muslimanëve e hebrenjve nuk i lihej asnjë mundësi të ruanin besimin,veç vdekjes e arratisë. Por muslimanët nuk i fajësojnë fare spanjollet e sotëm. Mbështetësit e teorisë së “incidentit fatkeq” të islamizimit, bile në shembullin e Spanjës mund të gjejnë dhe pak ngushëllim: 800-vjet qytetërim islamik spanjoll, sot gjen vetëm në dy-tri shatërvanë apo kolonada e dorëshkrime që kanë shpëtuar nga masakrimi, e asgjë më. Me 600 apo 555-vjetët tanë ka ende shpresa për “riparime”. (Duam apo s’duam ta pranojmë, “diçka” po ndodh në Kosovë…).
Më shqetëson fakti se në Shqipëri me çështjet publike të I?slamit merren jomuslimanë (besimtarë e ateistë), kurse me problemet e Kishës Autoqefale Orthodokse merren shumë muslimanë (të paktën në shtyp). Këta njerëz nuk e kuptojnë se nuk mund të merren dot me punë që nuk u përkasin? Në vend që të kontribuojnë kundër kaosit, të gjejnë individualitetin a komunitetin që vërtet i përkasin, e të punojnë për përsosjen e tij, kanë vendosur jashtë mundësisë njerëzore, të shpëtojnë Shqipërinë e më gjerë. (“Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përderisa ata ta ndryshojnë vetveten” Kur’an, Sure El-Rrad (Murmurima):11). Kjo vëretje vlen për t’i lidhur përmes keqkuptimit idhtarët “antiincident” me ata pro incidentit. Këta të fundit me mbështetjen e volitshme për shqipëtarët të islamizimit, si mbrojtës nga asimilimi, i japin rrugë përfundimit të natyrshëm, se shqiptarët e paskan ndërruar fenë nga inati i sllavit e i grekut pra duke dhunuar veten. E kanë paraqitur Islamin si një “fe për shqiptarë”, duke harruar se edhe vetë kombet që na kërcënonin me asimilim, kanë muslimanët e vet. Me idenë e leverdisë së religjionit nën Perandorinë Osmane, me po atë logjikë që u pranua, me po atë lehtësi duhet mohuar Islami, i cili sot s’na leverdis në Perandorinë Europiane. Përherë konceptet për lëvizje të tilla “strategjike” harrojnë se njeriu i shkretë ka shpirt, e besimi gjendet aty. Që Islami të kishte qenë plotësisht i volitshëm për kombin shqiptar, duhet të kishte prishur gjatë sundimit 600 vjeçar kishat shumë shekullore të Kosovës që serbët të mos kishin “dëshmi pronësie” për të cilat derdhin gjak në atë tokë, por Islami ndalon t’a fyesh besimin e tjetrit, dhe jo më të vesh dorë mbi tempuj! Islami po të ishte i nacionalistëve, do të kishte ndryshuar emërvendet sllave “kudo nëpër atdhe”, por këto punë muslimanëve nuk u interesonin fare. Prandaj teoria e islamizimit për hir të ruajtjes së kombësisë është po aq fyese sa të tjerat, po aq jo normale kur i konsideron njerëzit si ca gurë shahu.
Përmbi gjithë këto abuzime, sulme, alarme për fondamentalizma, izolime dhe islamizime me dhunë a me konferencë të Shqipërisë, qëndron e zezë ana tjetër e gjysmëhënës. Korpusi i shqiptarve me përkatësi muslimane i nënshtrohet gati përditë një procesi të heshtur erozioni. Dhjetra mijë shqiptarët emigrantë të bukës në Greqi janë të detyruar të maskojnë apo ndërrojnë emrat dhe fenë për t’i shpëtuar diskriminimit. Dhjetëra organizata të mirëfinancuara fetare me qëllim të parë e mbase edhe të fundit prozelitizmin, veprojnë sidomos tek fëmijët. Projektet për qendra riaftësimi për të droguarit u besohen urdhërave fetarë, të cilat nuk besoj t’u ofrojnë mundësi zgjedhjeje mijëra “pacientëve” të tyre, në momentet kur gjendja e tyre fizike, shpirtërore e psiqike nuk i lejon të jenë të përgjegjshëm. Vetëm numri i “të ndërruarve” në emigracion gjatë këtyre 8-vjetëve të hapjes besoj se paraqet një rritje jo të natyrshme, krahasuar si raport me ndërrimet e fesë gjatë 8 apo edhe 80 vjetëve të parë të sundimit osman në Shqipëri. Kërkohet me ngulm të bësh pjesë diku tjetër, të dorëzosh fenë.
Fe në shkëmbim të bukës, të Tokës së Premtuar (=Europës, si pasaportë, a si shantazh), fe për të mos qenë i dyshuar e i akuzuar, e i tallur, fe për të dalë nga “shenjestra”.

* * *

Gjatë këtyre ditëve kur zgjasja këtë letër, koncepti im për të si edhe adresat e përfytyruara, ndryshuan shumë herë, midis tufave të gazetave me lajme çdo mëngjes e ndër bisedat me miq.
Këto ditë një njeri i panjohur përmes shtypit, “u arrestua e filloi hetimi për të”, sepse guxoi të protestonte i vetëm para ambasadës amerikane, kundër atyre që bombarduan pa pyetur njeri Afganistanin e Sudanin, kundër atyre ndaj të cilëve vetë presidenti Clinton ka protestuar kur ishte student. Kurse për të ndërhyrë kundër serbëve që po vrasin popullsinë civile, edhe këto ditë të Mëdhenjtë vazhduan të mos bien dakort. Këto ditë u njoftua edhe për dhjetë “islamikë”, të tjerë të rrezikshëm (6 kosovarë midis tyre meritonin këtë emër) u arrestuan e iu gjetën armë të ftohta, në një Shqipëri të nxehtë ku populli është i armatosur edhe me mitralozë. Gjithsesi për fatin e tyre nuk u informua më tej, e gjithçka kaloi në një seancë ngritjesh supesh, hamendjesh e përgënjeshtrimesh nga një pjesë e shtypit, dhe nuk u duk se çdo gjë ishte aty ku duhej, veç dhjetë të përfolurve… Gjithashtu në Elbasan doli lajmi e po prej aty u kundërshtua se ishte kapur një grup me dy sauditë e një iranian; (në fakt mund t’i kenë kapur veç e veç se më kollaj bashkon Tom-in me Jerry-n se sauditët me iranianin). Këto ditë u premtua sërisht nga media për akte dhune të terroristëve islamikë, por me ç‘duket këto sërisht u shtynë për një kohë tjetër. Nëpër rrugë njerëzit me mjekrra, syri i shoqëron me kuriozitet, dhe nëpër në xhamitë e Tiranës besimtarët kthejnë përmbys ndonjë sixhade për të gjetur përgjuesit e përfolur nga shtypi. Vapa shërbeu si një dekor për ta “arabizuar” situatën edhe më tej. Por rrugëve megjithatë pati si përditë femra muslimane të mbuluara “kokë e këmbë” (dëshmitaret më tipike të një marrëveshjeje që njerëzia e ka harruar) që na privuan nga bukuria a shëmtia e tyre. (I harroj emrin përherë atij orientalistit që i cilëson muslimanët si “një demokraci murgjish të martuar”) Në autobuse e në stadium, njerëzit diskutonin për bomba, disa me humor, disa me njëfarë preokupimi. Këto ditë gjithashtu, në Shqipëri plasen tensione politike, dhe “islamikët” u kthyen herë në “aktorë” e herë në “detaj” të këtij tensioni. Ajo ç’ka ndodhur, nuk mund të riparohet (harrohet). Ashtu si edhe për AIDS, ende nuk ka ndonjë kurë shpëtimtare kundër psikozave të mbjella nga pushteti okult i mediave. Në trutë e shqiptarëve vështirë të çregjistohet “bomba” dhe “mjekrra”. Njerëzve iu imponua një rregull treshi i ri: Meqë në Shqipëri flitet kaq shumë për islamikët, po pati terror ? do ta kenë bërë ata…!
I nisur nga të gjitha këto dua t’i drejtohem me fjalë të qarta “njeriut të mendjes” që lexon këtë letër, i çdo përkatesie qoftë ai.
I kërkoj njerëzisht:
të përdorë gjithë autoritetin e tij a të punës së vet për t’i ndihmuar një normaliteti të tolerancës e respektit, të marrdhënieve e dialogut ndërkulturor në Shqipëri;
të verifikojë rastet që citoj më sipër (duke patur parasysh që edhe për periudhën njëvjeçare që paraqesin janë të paplota) dhe nëse vërteton fyerjet e gjuhën e dhunshme e provokimet ndaj besimtarëve muslimanë, të mbajë një qëndrim ndaj tyre, ose ndaj autorit të kësaj letre si një gënjeshtar;
të analizojë seriozisht fenomenin e terrorizmit islamik në Shqipëri, dhe nëse e gjen real, të bashkohet me ata që e luftojnë. Në të kundërt të përpiqet me mënyrat e veta të mundshme, për të minimizuar pasojat e këtij “terrorizmi” si koncept i njerëzve të thjeshtë të dhunuar nga propaganda. (Pyetje ndihmëse: “A janë vallë islamikët ata që interesohen t’i armiqësojnë njerëzit me fenë e tyre nëpërmjet terrorit, kur detyra e tyre e shenjtë është të thërrasin në fenë e tyre?”);
t’i konsiderojë orvatjet e kësaj letre si paralajmërim modest për një klimë të keqe, e parakërkuar dhe e parasajuar prej imponimit në publik të rreziqeve deri më tash të pavërtetueshme të terrorizmit islamik, me synim ndërsimin e opinionit kundër Islamit, kompleksimin e muslimanëve, provokimin e tyre;
të mendojë për t’i gjetur një zgjidhje këtij “ekuacioni të zgjidhur” (ku e panjohura është paragjykuar e propaganduar të jetë muslimani), ekuacion i cili mund të ofrohet kur të duash i pafrenueshëm p.sh. në ndonjë histori tjetër me dëmtim kishash;
të reagojë për parandalimin e tendencave të racizmit e ksenofobisë në Shqipëri;
të bashkëpunojë me individë apo organizma të interesuara për harmoninë e drejtësinë, në mbrojtje të grupeve e personave të diskriminuar apo të ndëshkuar pa të drejtë;
të promovojë në Shqipëri idenë e një qytetërimi të puqjes e jo të përplasjes, të një qytetërimi të të gjithëve, e jo të përjashtimit;
nëse klima e intolerancës dhe e fyrjeve ndaj muslimanëve do të vazhdojë në Shqipëri të miratojë hixhretin (shpërnguljen) si protestë ndaj një shoqërie të paedukuar të shkruesit të kësaj letre, në ndonjë vend pa të tilla fenomene, qoftë ky edhe vend me qytetarë të klasit të dytë, të cilët mund t’i bombardosh kur të duash, duke shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare;

Ervin HATIBI
(shkruar në javën midis gushtit e shtatorit 1998

Kërkohet një mjekër për “Armikun Kombëtar”

Ervin Hatibi

Pasi ra edhe perdja e fundit e tymit të rrënojave trishtuese amerikane, qartësia po bëhet gjithnjë e më e madhe. Arrijmë të shohim tashmë si ishim, si jemi. Sa larg a afër njëri-tjetrit me fatkeqësinë në mes. Ne, familja e bijve të Adamit.
“A nuk ishte edhe ai një shpirt?” tha Muhamedi a.s. Profeti im, kur u pyet pse trishtohej tek kalonte afër funerali I një hebreu. Ndërsa e kishin mohuar dhe gjakosur me gurë rrugëve të Taifit, nuk kërkoi hakmarrje, por u lut dhe shpresoi se nga pasardhësit e atij brezi të paditur do të dilnin njerëz që do adhuronin Allahun.
Por këto nuk I di gjithkush, Nuk I di psh. një pedagog shqiptar, I njohur I vjetër, I cili të nesërmen e atentateve, pasi u sigurua në rrugë se nuk e shihte njeri, më përshëndeti nga larg me një shtrëngim të ulur grushti, shenjë e cila në shumë kultura tregon përgëzim dhe një lloj kënaqësie që shijohet në grup… (E njëjta shenjë e beftë gëzimi që një gazetar I RAI-t tregoi po të nesërmen e atentateve, kur korrespondentët e Lindjes e lajmëronin për shpërthime të fuqishme në Kabul…) Pedagogu, një burrë që ka inate të vjetra me Amerikën, nuk e njeh fare fenë time; ai thjesht është I bindur se tek unë dhe tek mjekrra ime ka partnerë për të ndarë hallvën makabre të një feste vdekjeje. Nga larg, gjesti I tij futbollistik më erdh’ krejt si grusht stomakut.
Me të njëjtin paragjykim provokativ, edhe media shqiptare mësyu xhamitë dhe institucionet islamike për të dhunuar kë të gjente përpara. Pyetja shtruar besimtarëve: “çfarë mendoni për aktet terroriste në Shtetet e Bashkuara?” parapret në fakt veç dy lloj përgjigjesh. Ndërkaq që çdo njeri normal e di se për këtë lloj pyetjeje mund të ketë vetëm një lloj përgjigjeje; e pyetjet që kanë vetëm një përgjigje, ti thjeshtë nuk mund t’I bësh… Por një injorancë mbase e pashërueshme, apo një dashakeqësi e deleguar, I bën gjithsesi të ta vendosin tytën e mikrofonit në fyt dhe të të thonë: je me kriminelët a me viktimat?
Në të njëjtën linjë mendimi pastaj në darkë, mësohesh të shohësh në TV, se sa normale është që ndërsa flitet për terror, kjo të ilustrohet me pamje normale minaresh, njerëzish normalë që falen normalisht… njerëzish me mjekërr!
Fara është hedhur; urrejtja është kanalizuar: Në të nesërmet e para të atentatit, në rrugë sheh veten të fyhesh si asnjëherë gjatë jetës tënde më parë. Njerëz me gazeta në dorë që të shigjetojnë me gisht, me sy të ndezur, me gojë të hidhur…
Qëndisur me stigmën e dukshme të pakicës, ecën me mjekërr dhe anonimat nëpër rrugët e qytetit tënd të kolonizuar me urrejtje dhe në gjoks detyrimisht të grumbullohet urrejtje, por më tepër trishtim. Nuk mundesh të sqarosh asgjë; djalosh njëzet e diçka vjeçar që nuk e ke besuar kurrë se do ta jetosh një ditë historinë, se edhe hebrenjtë ishin njerëz si ti me yllin prej cope qepur dukshëm në fat. Si një kështjellë e rrethuar, a si një anije që digjet, braktiset shenja e grupit; çdo të nesërme pas atentateve; djelmosha kokëulur faqeplagosur dalin nga dyert e xhamive; kanë hequr mjekrrën njerëzore, për të veshur maskën urbane të të qenit “tribalisht korrekt”, të të qenit “ne” dhe jo “ata”.( Dy vajza që I njoh, motra, të përjashtuara vite me rradhë nga e drejta për të vazhduar shkollën për shkak të mbulesës fetare, pikërisht këto ditë hoqën mbulesën nga koka. Kishin bërë durim në kohë paqje, por tani është vërtet ndryshe.) Një mekanizëm, I frikshëm në përsosmërinë e vet, është vënë në lëvizje. Kultura e timonuar dhe informacioni I tillë me anë të magjisë pavlloviane të përsëritjes së klishesë së rrezikshme kanë veçuar tek njerëzia të njëjtin reagim. I sheh të sinkronizojnë lëvizjet dhe qëndrimet popullata të tëra rreth teje: të njohur dhe të panjohur, të afërm dhe të largët, të dashur e jo të dashur, gra dhe burra, të rinj dhe të vjetër, besimtarë dhe jobesimtarë. Një kult I vërtetë që fokuson rreth mjekrrës të pranuar masivisht si atavizëm evolucionar në Sizifin e përditshëm të luftës shfarrosëse me veten përballë me brisk në dorë, (idenë për hypje-zdrypje në një majë mali të shumëzuar me ty, ta forcon edhe më bora e industrisë së shkumës.) Pastaj kemi rrënjosjen spartane, më gjerë greko-romake-fashiste, përftuar nga ushtria dhe ballafaqimi me forcat e rendit, që automatikisht e kthen mjekrrën në antonim me rregullin, rendin, pastërtinë dhe kështu barazim me margjinën, të ndaluarën, irracionalen. Ki parasysh edhe lejfenizmin. Gjithashtu ngjyresat e bollshme nga letërsia e detyrueshme shkollore për sakrifica të frikshme (lexo çmenduri) murgërore, mistikë mesjetare lindore tendencioze (Rasputini?) plus sulltanat. Plus tridhjetë e ca vjet propagandë për radikalizëm dhe terrorizëm islamik që nga revolucioni iranian me rekuizitën e vet mjekërrore në rubrika, dosierë, reportazhe, filma, romane, zhargon, lojra kompjuteri … E gjitha kjo nxjerr dhunshëm kokë, duke çarë hipokrizinë e respektit për diversitetin, në çaste kritike e sidomos në katastrofa gjithëtronditëse si kjo e fundit, ku implikohesh njëheri me monumentalizmin në simbole dhe numerikë. Pastaj vërtetë është e pafalshme për njeriun e thjeshtë nëse mes gjithë kësaj nuk ve në shënjestër njeriun me mjekërr, sidomos kur siç thamë mediat ilustrojnë lirshëm retorikën për terrorin me pamje minaresh e besimtarësh me mjekrra. Kur edhe burra shtetesh të mëdha, flasin për “kryqëzatë” “kundër të keqes” apo përplasje a “epërsi” me qytetërimin islam, dhe më pas nën breshër reagimesh shpejtojnë të vënë pikat mbi I-të që nuk egzistojnë duke sqaruar se nuk kanë gjë me Islamin apo muslimanët. Por njerëzit e thjeshtë e morën mesazhin. E mbase vërtet nuk kanë gjë me muslimanët: në rrugët e Amerikës vritet tjetri vetëm se ka mjekërr, pa qenë detyrimisht musliman. Është rasti I një indiani të besimit sikh vrarë në një pikë karburanti, dhe raste të tjera goditjesh të sikhëve edhe gjetkë në botë, (feja e tyre u kërkon mbajtjen e mjekrrës) denoncuar si raste dhune urrejtëse lidhur me atentatet. Vërtet, edhe pa mjekërr e pa Islam, furia hakmarrëse e injorancës së kultivuar gjithashtu këto ditë vrau edhe një të krishterë egjiptian për fajin e mjaftueshëm se po mbante në lëkurë shenjën e të qenit arab në kohën dhe vendin jo të duhur.
Ata që kanë bërë krimin në fakt nuk janë disa idjotë të mjerë patriotikë që mund edhe t’I zërë policia. Kriminelët janë ata që përgatitën tabelën e qitjes me lexime të shtrembëruara të ngjarjeve, duke akuzuar drejtpërdrejtë apo tërthor thelbin e fesë islame si kriminal dhe qindra milionë muslimanë si përbindësha të mundshëm. Janë ata që vite me rradhë definuan “islamik” terrorizmin, kur ky nuk është atribut fetar, dhe definuan sipas interesit lëvizjet çlirimtare të popujve herë “terrorizëm” e herë “luftë për liri”. I gjen edhe tek ne, injorantë apo sadistë që duke bërë si specialistë tradhëtojnë reputacionin në faqet e para të gazetave tona më të mëdha, kur shkruajnë se muslimanët I falen pesë herë në ditë Muhamedit (!!!), kur duan ta paraqesin devocionin islamik në profile kamikaxesh, apo japin të dhëna për “vendet arabe si Irani (!!!), Egjipti etj”, duke shpikur talibanë dhe baza terroriste në Shqipëri, apo duke sugjestionuar me termin “xhihad”. (Kjo fjalë në gjuhën arabe, tregon përpjekje , sakrificë. Në traditën islamike “xhihad I madh” tregon përpjekjen për të luftuar egon, që të zbutet dhe të përsoset e të përkulet më në fund para madhërisë së Zotit. Kurse “xhihad I vogël” është e njëjta përpjekje e spostuar jashtë vetes kundër padrejtësive dhe tiranisë derisa gjithë madhështia në tokë t’I takojë vetëm Zotit. Por kjo absolutisht nuk është interpretuar 1400 vjet rresht si vrasje civilësh, apo si terror “hedh gurin fsheh dorën”, por kur ka marrë forma të pashmangshme luftarake, ka qenë ose mbrotjeje të ligjshme, ose problem I fushës së marrëdhënijeve ndërkombëtare; çështje ministrish, traktatesh, ambasadorësh e jo pirateri anarkiste kundër të pafajshmëve. Në një bisedë në një televizion me një gazetar të respektuar, koncepti që u përftua nga fjala ime e gjatë dhe natyrisht e redaktuar, u fokusua tek “xhihadi I Ramazanit”, tek përpjekja që besimtari bën me veten për të treguar se jeton pa ngrënë e pa pirë, po jo pa Zotin. Meqë disa e kanë vënë në dyshim këtë lexim timin për xhihadin, po jap pa redaktim fjalën e ministrit britanik të shtetit për Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit në vitin 1999, z. Derek Fatchett : “Ajo çka ata (shumë njerëz në Perëndim shën. im) kanë nevojë të njohin është se ekziston një xhihad I madh- jo një luftë e shenjtë kundër të pabesëve, por një përpjekje përbrenda njeriut për të qenë I ndershëm dhe I drejtë. Dhe Ramazani është koha kur Kurani I Shenjtë I thërret besimtarët të meditojnë mbi këtë përpjekje.” ( dërguar për “Jordan Times”, 18 Janar 1999)
Duke veçuar bukur faktin se ndonëse me një “çetë profetësh” të përbashkët me traditën judeo-krishtere, tekstet islamike nuk e kanë përfshirë kurrë historinë e kreshnikut Samson, studiuesi britanik Abdal-Hakim Murad (ish- Timothy Winter) fshin edhe të fundmin spekullim teologjik që mund të akuzojë mendësinë muslimane për përligjje të “akteve heroike vetvrasëse”. Bëhet fjalë pra për tregimin biblik, dramatizuar nga Noli ynë me mjekërr, me trimin Samson I cili I zënë rob tek filistinët, shembi shtyllat e tempullit pagan, dhe “rrëmbeu me vete, në vdekje, më shumë filistinë sesa kishte vrarë gjatë tërë jetës së tij.” Fuqinë e vet titanike, Samsoni e kishte tek flokët (kam përshtypjen se tek “Israelitë dhe filistinë” Noli ka shtuar edhe mjekrrën.) Po prapë, nuk ka dyshim se rrëzimi I ndërtesave dhe vrasja e të pafajshmëve, sot nuk është punë qimesh dhe nuk është punë besimtarësh me mjekërr, apo edhe pa mjekërr; mjafton vetëm të kenë kuptuar vërtetë çfarë është mjekrra. Se mjekrra është paqë me Zotin duke mos prishur atë (mjekrrën) që Ai krijoi me mirësi; është paqë me veten, duke mos u kacafytur përditë para pasqyrës në një koreografi vetvrasjeje me thikë në fyt; është paqe me ata njerëz që duan paqe, të cilëve kështu u dhuron mundësinë të të identifikojnë, të të përkufizojnë, të ta dijnë kufirin… U jep një dije për veten tënde, e cila sipas natyrës që ka dija, u jep edhe një minimum pushteti njerëzve mbi ty, të cilin s’ta fal kushdo sot, I fortifikuar pas kamuflazhit të (pamjes së) rastit, sipas leverdisë: herë zyrtar, herë sportiv, herë serioz e herë agresiv. Jep mundësi për policinë në aeroporte apo të tjera porta ta lokalizojë shpejt rrezikun dhe të bjerë rehat ndërkaq që njëfarë Timothy (tjetër ky, që nuk arriti të bëhej musliman, si Timothy më lart), bjond dhe pa mjekërr hedh në erë ndërtesa federale në Oklahoma.
Përveç Heroit Kombëtar, Poetit Kombëtar, dhe lekut kombëtar (poeti, heroi plus Budin, Nolin dhe dy variantet e dymijlekshit me Ismail Qemalin) ca shqiptarë duan të bëjnë me mjekërr edhe Armikun Kombëtar.
Mediat dhe “specialistët” vazhdojnë të pjellin rrugëve vezë qose të urrejtjes, korba të rinj për një qiell mishngrënës ballkanik.

5 thoughts on “Persihatje (Ese) nga Ervin Hatibi II

  1. desha me te pyt se a din me shkru ese te mir per natyren e nese ke mundesi me ma shkru nja se nuk ma lidh hiq e neser kam shpresoj qe e lexon deri neser msn e esen ne qoft se ma ban qoma ne add tem ok:D:D:D:

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s