bletebzz

Persihatje (ese) nga Ervin Hatibi

 OK people, I made you happy and gave you the button even without author’s permission. Po mos ma beni tere blogun lemsh se do ju ze me dru pastaj.
Per kenaqesine tuaj dhe te trurit tuaj shijoni:
Hakmarrja e pulave

E gjithë Bota është në kaos, por më shumë nga të gjithë, duket se është propaganda. Nuk di kush ma ka mësuar këtë fjalën tjetër të urtë që fillonte me temeo danaos: “I Kam frikë grekët edhe kur dhurojnë pula”…Një fantazmë sillet nëpër Evropë, bile jo vetëm nëpër Evropë! Një fantazëm pulash!

Nga Ervin Hatibi

Kaq i stërpërdorur është ky parafabrikat nga “Manifesti…”, sa nuk të bëhet më ta lexosh gjëkund, e jo më ta shkruash vetë (është të paktën e dyta herë që e përdor në shkrime këto vitet e fundit). Po gjithsesi përherë e më adapte duket për t’u përdorur. Nuk është kësaj radhe ndonjë konspiracion, as ndonjë pritshmëri dialektike klasore. Një fantazmë përmbi Evropë… Duke ndjekur me sy në TV atë rripin e lajmeve që gjarpëron në buzën e poshtme të ekranit, paralel me numrin e viktimave që vdiqën nga shpërthimet e sotme në Bagdad, mëson se…në Britani kanë ngordhur 30 kanarina… pritet me padurim të dalë ministri i Brendshëm apo i Shëndetësisë të japë ndonjë konferencë shtypi… Në një apartament në Bruksel për shembull a në Milano, mëson në lajme se u bënë bastisje dhe u arrestuan të dyshuar si terroristë të Al Kaidës, dhe sheh policët anti-terror me maska e skafandra. Me po të tilla maska e skafandra i sheh andej nga Rumania duke arrestuar nëpër fusha ndonjë patë apo gjeldet të dyshuar për mbartës të një epidemie apo pandemie që mund të vrasë disa qindra herë më shumë njerëz se Bin Ladeni e Xhorxh Bushi bashkë.
Me sy nga qielli rrijnë njerëzit, duke parë nga kufinjtë e lindjes se mos nxijnë me helmin imagjinar tufa lejlekësh e dofarë zogu infektues: fermerë, pularritës, zoofilë, nëna të alarmuara, epidemistë, ornitologë, detektivë të scoop-it, mileniaristë që presin apokalipsin e rradhës, rrijnë me sy prej qiellit. Në shtypin ndërkombëtar bile u hodhën edhe hipoteza të tilla që e lidhnin gripin e pulave me strategjitë e luftës baktereologjike të terrorizmit ndërkombëtar. Ka diçka të vërtetë në frikën e se mos pulat i ka infektuar Al Kaida: edhe turqve kështu u pat dalë nami aty nga fundi i mesjetës kur bombardonin kështjellat e rrethuara me qen e pula të sëmura…
Tendenca që kanë për t’u bërë të rrezikshme kafshët këto vitet e fundit është e pabesueshme dhe në rritje: nuk është turp të trembesh nga pak me qentë e tigrat e gjarpërinjtë, hajde de edhe me shqiponjat, po …pulat! Të ruhesh nga pulat, apo nga lopët mos çmenden! Proporcioni i rrezikshmërisë është në përpjesëtim të zhdrejtë me pamjen dhe namin që kanë kafshët.
Në fillim ishte lopa! Tashmë pula është ajo që bëhet logoja e katastrofës së rradhës, ajo e cila tradicionalisht nuk na ka bërë ndonjë të keqe: më e madhja çudi që kemi pritur prej saj është ndonjë kokërr vezë me dy të kuqe… Kaq! Gjithë ajo kohë që kemi kaluar duke lëmuar karakterin e njerëzve më të butë se ç’duhet me shprehjen “është pulë fare”, apo kompozitat “zemërpulë” kanë dalë për momentin jashtë objektivi, me po atë shpejtësi me të cilën syri të rrëshket në menu nga pjatat ku turfullon shpendi problematik (Shënim: devijimi nga menuja me pulë ka vetëm arsye psikologjike, dhe aspak fiziologjike. Sigurisht që autori nuk merr përsipër të jetë duke prodhuar ndonjë panik në lidhje me të ushqyerit me pula.)
Në vitin 1994 doli filmi “Chicken Park”, film që karikaturizonte “Jurassic Park”-un e Steven Spielbergut. Si pasojë e ca alkimive të dështuara nëpër laboratore, një soj i ri gjigand pulash niste të persekutonte personazhet e filmit duke i ndjekur këmba-këmbës nëpër një labirint korridoresh deri në fund të filmit. Makthi që provohet tek versioni me dinosaurë i ndjekjes, është relative, për sa kohë që dinosaurët njëherë e mirë janë zhdukur, e nuk i sheh me sy. Po pulat janë prezente dhe janë kthyer në faktor global frike.
Disa pak kohë më parë, arkipelagut tragjik me varre kolektive ballkanike, të njohura apo jo, autoritetet sanitaro-kufitare të Republikës i shtuan një njësi të re, mbushur kësaj radhe plot me pula të dyshuara nga Greqija. Pula ende gjallë, mijëra flatra dhe kokoritma pa ajër, bllokuar nën një dhé ekskavatorësh. Pamja makabre, e cila gjithsesi u rrotullua edhe në ndonjë ekran evropian, më kujtoi një shprehje të vjetër që ma ka mësuar gjyshja, e cila, ndjesë pastë, komentonte kështu veprimtarinë gërmuese dhe të zellshme të pulave tona në oborr. Shprehja thotë: “pula nxjerr të vdekurin prej dheut”. Nuk ka mundësi që kjo fjalë të ketë dalë kështu kot e kot…Gjithsesi, gojët e liga, ato që nga anët tona janë të shumta dhe e hapin ditën duke u helmuar esëll me kafe, këto gojë pra mëtuan se Greku, si edhe Turku gjatë mesjetës, po e mësynte vendin e Shqipeve, me Pula të infektuara, të cilat po ashtu si Kali i Trojës, nën pamjen e paqme, të mirënjohur dhe të sipërpërmendur, fshihnin vdekjen.
GAY

E.Hatibi

Vite më parë po bisedonim me ca studentë francezë për sensualizmin natyral të mesdhetarëve, edhe për zakonet e çlirëta të tyre. Përvoja e lashtë thotë se ata janë babaxhanë, përqafohen e puthen me shoku-shokun, dhe ecin krah për krah. Francezët buzëqeshën, dhe thanë se tashmë në Marsejë, ku ata jetonin, kjo klishe tashmë kishte hyrë në muze. Marsejezët ishin të detyruar të ecnin me distancë nga njëri-tjetri, si edhe të ishin të kujdesshëm nëse takoheshin edhe pas një muaji pa u parë. Burrat nuk duhet të tregonin afërsi në publik, pasi të pranishmit, ende mesdhetarë, mund të mendonin keq për ta: (homo?) Puna është se homoseksualët, gjithnjë e më krenarë për seksualitetin e tyre, janë krejt të lirshëm, kurse të tjerët ndihen të kontraktuar. Ekuilibri i dikurshëm është prishur.
Në viset ende jo shumë mesdhetare të Greqisë së vjetër, (Mesdheu u bë vetja fill pas protagonizmit semit) pederastia bënte pjesë në sistemin pedagogjik të gjimnazeve të Spartës. Bile dhe riti i burrërimit të adoleshentit, dhe hyrja e tij në radhët e luftëtarëve, konsideronte këtë, që ai bashkë me një luftëtar më të moshuar duhet të izoloheshin bashkë në një pyll për një farë kohe, duke u marrë me gjah si edhe me mësim-dhënie e mësim-nxënie mbi aspekte të jetës adulte. Në vazhdën e “hedhjes baltë mbi luftërat-epope”, unë do të denoncoj edhe ambiguitetin e luftës së Trojës, si luftë edhe kundër të huajve, por edhe si luftë civile. Akili dhe Aga Memnoni siç dihet&duhet grindeshin për punë femrash, por edhe ushtarët e thjeshtë, për vite të gjatë me radhë duhet të jenë kacafytur me njëri-tjetrin nëpër tenda, për të fituar favoret e bashkëluftëtareve më të rinj e më të bukur. Këtë nuk e shpika nga koka me ndonjë qëllim të posaçëm ndaj popullit vëlla grek: këto gjëra i thonë pa u skuqur studimet historike.

Për hir të historisë vjen edhe Mesjeta, me shkishërimet, me inkuizicionin me akuzat për sodomi Leonardo da Vinçit bile edhe ndaj një urdhëri të tërë murgjish (Templarët). Pastaj duke shfryrë hyjnë në histori makinat me avull, “Liri-Barazi-Vllazërina”, Kapitali&Mbivlera, Verlaine& Rimbaud, Luftën e Parë e të Dytën, Woodstock-un e Vietnamin, Murin e Berlinit dhe Olimpiadat Gay, pa harruar AIDS-in.
Pas këtyre kapërcimeve subjektive në qytetërimin perëndimor, arrijmë në ditët e sotme, ku të flasësh për homoseksualizmin nuk është e vështirë, nuk të duhet ndonjë energji e posaçme prej eksploratori hamendës apo kontestues. Tanimë gjërat janë ashiqare. Informacioni është i bollshëm, aq sa të lejon të nxjerrësh përfundime për formën publike që ka marre fenomeni, bile jo kaq pak sa të kufizohesh në përshtypje indiferente. Kjo është diçka që të provokon disa sjellje të posaçme.
Studime të panumërta psikologjike nuk kanë arritur dot të gjejnë se çfarë është ajo që i përcakton drejtimet seksuale tek njeriu. Edhe një bindje e vjetër se devijimet homoseksuale shkaktohen nga mungesa e hormoneve gjinore, tashmë ka rezultuar si faktor anësor. Eshtë pranuar si shpjegim, një amalgamë hipotezash psiko-sociologjike përmbi fëmijërira të vështira, për identifikime me prindin e seksit tjetër, etj., etj.. Por tashmë, një gjë është fiksuar: Për homoseksualizmin nuk flitet më si për një sëmundje, po si një dimension “tjetër”. Prandaj edhe me sa duket, kjo përligjje duke i dhënë të drejtë qytetarie, ka ndihmuar në ekspansionin gay.

Në Lindje e në Perëndim, përherë të qenit gay është ballafaquar me përbuzjen dhe bojkotimin. Jeta e një gay në publik ka qenë një alternativë e dyzimit. Sapo shoqëria e zbulonte “alienin”, niste procesi i diferencimit, persekucionit, përzenia nga puna dhe penalizimi. Mjafton të kujtojmë gjyqet ndaj Oscar Ëilde, Paul Verlaine. Por në vitet e dekadencës, midis dy luftrave, vihet re një farë liberalizmi, nis hapja e lokaleve “vetëm për burra”, “vetëm për gra”, ku u prezantuan edhe travestitët (burra të veshur si gra, e anasjelltas). Proces ky që u ndërpre nga ardhja në fuqi e regjimeve fashiste autoritare, si edhe nga funebriteti i luftës së Dytë.
Intoleranca pas luftës vazhdoi, por sidomos dalja në skenë e sëmundjes AIDS, karakteristike për komunitetin gay (mashkullor), bëri që këta të organizoheshin në shoqata e grupime, gjë që çoi në konturimin e një levizjeje të përbotshme. Tashmë homoseksualët duke mbajtur në shpinë krahas akuzave për perversion edhe akuzat për bartës të AIDS, u gjendën edhe më të privuar nga të drejtat për shkollim, punësim e përgjegjësi shoqërore. Nisin demostratat, manifestet dhe format spektakolare të protestës nga ana e elementëve gay në fushën e artit e të modës. Një lëvizje e vërtetë për barazi dhe integrim. Gjithashtu edhe një lëvizje për ta çdemonzuar homoseksualizmin, për ta paraqitur si një zgjedhje natyrale. Rezultatet e kësaj faze të levizjes, ia arritën të fashitnin pak urrejtjen patologjike të njerëzve ndaj ketij fenomeni, dhe fundi i fundit t’u kujtonin se një gay është njeri si të tjerët.
Por nga ana tjetër lëvizja në fjalë nuk kontribuoi vetëm në normalizimin e marrëdhënieve me shoqërine. Duke shfrytëzuar zbutjen e opinionit ndaj tyre, gay-t@ i dhanë vetëmbrojtjes përmasat e një ofensive për t’u përfaqësuar në të gjitha planet e jetës shoqërore e politike. Lëvizja gay evoluoi nga një lëvizje integrimise në një lëvizje integraliste. Gay kërkon të celebrojë zyrtarisht martesa. Gay kërkon të celebrojë religjiozisht martesë e vet. Gay kërkojnë të adoptojë fëmijë e t’i edukojnë nëpër familjet gay. Kur pinguinët meshkuj të kopështit zoologjik të Berlinit, muaj më parë, dhanë shenja të ashpra homoerotike, dhe kujdestarët vendosën t’i “riprogramonin” duke i “detyruar” të rrijnë me femra pinguine, protesta serioze nga komuniteti gay u mobilizuan për të mbrojtur zgjedhjen e lirë të shpendëve në fjalë…. Më e bukura është se shumë nga kërkesat që përmenda më lart, tashmë të shtypura me shkronja të pastra nëpër legjislacionet e shumë vendeve të Europës, mund të kthehen edhe në klauzola për legjislacionin blegtoral. Pround to be gay, krenar që jam gay – është një parrullë e vjetër e lëvizjes. Megjithëse në botën e artit, sportit, modës, tashmë edhe politikës ka mjaft gay, prapë së prapë është parë e arsyeshme të sajohen Olimpiadat Gay, Miss Gay, festivale Filmi Gay e sa e sa të tjera grumbullime vetëm për ta. Liderët e lëvizjeve gay, sa herë japin deklarata e intervista, përdorin termin “heteroseksual”, kur i referohen pjesës “tjetër” të botës jo-gay, duke u përpjekur të thonë kështu mbase, se nuk ka asgjë të keqe po të jesh heteroseksual… Edhe heterot, njerëz janë… Paragjykimet kanë nisur edhe në kampin gay, kurse nga ana tjetër, njerëzit normalë, ndonëse jo më me mendësitë e një dekade më parë, kanë nisur të pajisen me një fobi të re. Kur kanë bezdi një homoseksual, më tepër bezdia lidhet me lëvizjen ku ai bën pjesë se sa me vetë personin…
Me këto ritme të përparimit të strukturës së re mentale, lëshim pas lëshimi do të vijë ajo ditë e mrekullueshme, kur njeriu do të shkojë në kishë a bashki për t’u martuar me atë që i do zemra, p.sh. me makinën e vet të re, si tek ai rrëfimi i Kadaresë për atë francezin që donte të martohej me veturën e tij “Lancia”. (Me ndonjë “Renault” mashkullor, kurrën e kurrës, thoshte auto-ashiku i pirë, se ai nuk ishte “ashtu” …)(…ende jetonim në vitet ‘80…)

  • 41. Ju rrëfej takimin tim me Nexhmije Hoxhën

nga Ervin Hatibi

Dhjetor I vitit 1995. Atë vit, sapo na kishin dhënë titullin e lartë “Pionierë të Enverit”, dhe po ashtu me të njëjtin emër kishin pagëzuar edhe hidrocentralin e Komanit, portin e Durrësit, Universitetin e Tiranës (vini re si shkëlqen simbolika hidro-iluministe që përfshin gjithë objektet e emërtuara me Enver. Bile edhe emri “Enver” në origjinalin arabisht mu kështu do të thotë, “I përndritur”.) Unë isha atëherë pionieri I vogël I shkollës tetëvjeçare “Mihal Grameno”. Mësuesja kujdestare, a ndonjë tjetër figurë që kujdesej, më kishte zgjedhur edhe mua, ndonëse jo edhe aq i dalluar në mësime, ndër ata 4-5 pionierë që do të përfaqësonim shkollën tonë periferike dhe problematike në një mbrëmje tematike të kremtimit të vitit të ri ku do vinte (merr frymë thellë!) edhe vetë xhaxhi Ramiz. I cili gjithsesi nuk kishte atë llamburitjen budike dhe as të ngopte deri në velje si figura e plotë “xhaxhi Enver/e ke gojëm me sheqer”, por ama ishte faktikisht udhëheqësi I parë I Partisë dhe I Shtetit. Takimi tematiko-argëtues do të zhvillohej në Pallatin e ri të Kongreseve, dhe aty do të vinin pionierë nga e gjithë Shqipëria. Para se të hapeshin digat administrative, dhe në Tiranë të vërshonin bindshëm fshatarët e të gjitha zonave të thella endogamike, numri I fëmijëve flokëverdhë në qytet nuk ka qenë edhe aq I madh. Tani që I mendoj më mirë ca gjëra e kuptoj sepse krahas epitetit …racist “kokëlakër” apo “gjerman” me të cilët ma merrnin shpirtin e vogël, flokët e mij të verdhë ishin një arsye më shumë, ishin artifici dekorativ që I shtynte mësuesit të më përfshinin në çdo grumbullim të zgjedhur kalamajsh edhe mua. Me një llaf u duhesha për kolor. Megjithatë, njëditëzaj, ndërsa shkonim si çdo pasdite tek Pallati I Pionierëve për të bërë provat e këngëve që do t’u këndonim udhëheqësve, mua dhe ca të tjerëve, na komunikuan në sy të dhjetëra e dhjetëra fëmijëve, se nuk do të vinim në natën e festës, natë ku do të na ndanin edhe dhurata me lodra, natë ku do të isha përkrah sidomos me të gjitha ato gocat e vogla që rrotulloheshin si kullulla me kurdisje duke kënduar me klithma këngët e partisë dhe të lumturisë me tekst nga Jorgo Papingji dhe Zhuljana Jorganxhi, nën drita të forta djersitëse, nën dekoret shpërthyese me të kuqe dhe të kuqe. Dikush po më shkulte dhunshëm, dikush po më arrestonte midis gjithë kësaj rave-party, duke ma sekuestruar gjithë ekstazinë e përfytyrimeve. Jam kthyer në shtëpi dhe e dija sepse mërzitesha. Kur im atë u nis edhe pyeti organizatorët në Pallatin e Pionierëve përse po më përzinin nga festa, përgjigjen ( e mbaj mend si sot) ia dhanë midis kësaj, se “o është numër I madh pjesëmarrësish e s’ka vend për të gjithë, o për shkak të origjinës klasore”. Pra një pionier I Enverit si unë, duhej ndërgjegjësuar se përveçse në klasë të pestë, bënte pjesë edhe në klasën e të deklasuarve. Të nesërmen e këtij informacioni, nëna ime, me mua përdore u nisëm të takonim një shoqen e saj në Komitetin e Partisë së Rrethit (tani selia rozë e Partisë Socialiste). Pas ca telefonatash gjithçka u ndreq nga e para. Isha aty prapë, me çunat e gocat e tjerë, duke pritur festën e vitit të ri… Nata e festës është edhe arsye pse mora të shkruaj këto rreshta. Këto rreshta mora t’I shkruaj për të dëshmuar edhe unë. Atë natën e festës midis ndriçimit ëndërror, midis shatërvanëve dhe inoksit e mermerit flakëritës, midis kalamajve të zhurmshëm e agresivë nga gjithë Republika, ja ku hyri Udhëheqja. Ishin aty afër fytyrat e porcelanta që I kishim parë në televizor, figurat që në raste festsh I kishim parë buzëqeshëse e madhështore pikturuara në telajo gjigande që bllokonin fasadat e gjithë ndërtesave në Sheshin Skënderbej. Ata ishin aty, me ecje të nga daltë dy e nga dy, dhe ne një divizion me pionierë gumëzhitës I prisnim me lule në dorë e me bletë brenda në kokë. Një errupsion fëmijësh rrethoi hyrjen e Ramiz Alisë. Në grumbullimin kacafytës rreth Udhëheqësit, u ndie një lloj deklamimi retorik, si formula para një atentati. Një pionier nga veriu, I veshur me kostumin tipik “bardhë-zi-kuq”, qeleshe përfshirë, kishte recituar një strofë të posaçme me dialekt për xhaxhi Ramizin, dhe pastaj “hopa!” iu lëshua xhaxhi Ramizit si kamikax në një përqafim violent fluturimthi. Xhaxhi Ramiz gati sa nuk u thye në mes. Dy tre shoqërues rendën ta shkëpusnin si midhjen nga guacka fëmijën-malësor që nuk shkulej prej xhaxhi Ramizit, dhe dikur ia arritën kësaj. Filloi shpërndarja e buqetave me lule: targeti prapë ishte xhaxhi Ramizi dhe udhëheqësit përreth që I ngjanin ose nga pamja po sigurisht nga veshja. Kisha mbetur si I hutuar me lulet e mija, të cilat dukeshin sikur do më vyshkeshin në duar. Kur ja midis tallazisë plot me fëmijë shallakuq, udhëheqës kostumebezhë, fotoreporterë, shoqërues, shquaj nga larg konturet e një gruaje të veshur me të zeza, mbetur ca më larg grumullit. Ishte Nexhmije Hoxha, një grua të cilës atë vit I sapo I kishte vdekur burri. Nuk e pata të vështirë të lejoj magnetizmin të më transportojë drejt saj dhe t’I dhuroj tufën time me lule, të vetmen (ndërsa udhëheqësit-burra gati sa nuk po mbyteshin midis mullarëve me lule që u vërshonin nga të gjitha anët).Ajo I mori lulet dhe tha zëulët diçka që duhet të ishte falenderim. U ndjeva I realizuar, I mirë. Vërtet, gratë sidomos, ma kanë këputur përherë shpirtin. *** Nuk është ndonjë gjë çuditshme nëse edhe unë shkruaj diçka në lidhje me kujtimet e udhëheqjes së lartë komuniste. Për gjithkënd që minimalisht ka akses në Sh.Sh.Sh.Sh. (shoqërinë e të shtypurit shkronja shqip), pra në botën e shkrimit shqip, I është I njohur trendi më I fundit, trasgresioni më epshor I faqeve të para (që nuk skuqen kurrë) të gazetave. Kësaj rradhe ajo është rrëfimtaria në vetë të parë e dëshmitarëve më të lartë të jetës së udhëheqjes komuniste shqiptare. Nëse psh. vite më parë njerëzia, lexuesit, nxisnin kërkesë-ofertën mediatike me uri dhe etje për të lexuar kujtimet e të burgosurve dhe përndjekurve politikë, nëse pak më vonë në cepat e faqeve të para nisën të dukeshin gjithnjë e më shpesh intervista (shumica të sajuara) me prostituta apo narkomanë a sieropozitivë anonimë… ka gjithato muaj që vendin e të gjithë këtyre e kanë zënë intervista me ish-polit-byroistë, ish-gjeneralë Traktati Varshave, ish-ambasadorë, ish-gjellëbërës blloku, ish-përkthyes delegacionesh, ish-kolegë gjuetie diktatorësh, ish-vjehrra pashallarësh të kuq apo nuse bijsh etj-ish etj. Në për qoshket e gazetashitjes mëngjes për mëngjes sheh sesi plaken fotografitë e Enver djalit që nga mosha kur I ngjante Rodolfo “latin-lover” Valentinos e deri ato të fillimit të epokës diabetike (me shëndoshjen e shpejtë bolshevike pas lënies së duhanit), tip Marlon “Godfather-Padrino” Brando, deri në fotot e fundit tip “Hanibal Lecter” me flokë të gjata, të bardha para vdekjes (kujt I kujtohet bejtja e vjetër subversive “Koh’t e fundit rriti flokët / ky vampir që hante shokët”). Mega-tituj të tillë që fillojnë me strukturë orteku nga maja e gazetës drejt e mbi kokat mazokiste të lexusve shqiptarë, me atë formulën nauzeante “ju rrëfej” (ngjan sikur thuhet “Ju vjell!”) :”Ju rrëfej takimin e Enverit me Çu En Lain” (kujt I plasi), “Ju rrëfej si u zu nusja e djalit të Enverit me me nënën e djalit të gruas së tij”, “Ju rrëfej si zuri Hysni Kapo të gjallë Anastas Lulën”, “Ju rrëfej si zuri Enveri një goxha krap dhjetëkilosh në Ujin e Ftohtë”, “Ju rrëfej mbledhjen e 81 partive në Kremlin”, “Ju rrëfej gjyqin e Beqir Ballukut ose të Teme Sejkos ose të Kadri Hazbiut….” Ata që rrëfejnë përgjithësisht janë ish-bashkëpunëtorë apo ish-shërbëtorë të afërt të ish-drejtuesve komunistë, dhe shpesh nuk e frenojnë dot fare nostalgjinë apo simptoma të tjera më të rënda të sëmundjes veneriane të veneracionit për diktaturën dhe përbindëshat që e udhëhoqën atë. Në të gjitha rastet, si në rastin e rrëfimtarisë të ish-të burgosurve a internuarve, si në ato të prostitutave, narkomanëve apo veteranëve të kuq ethja perverse për dëshmi përfshin sferën e të errtës, sferën e vuajtjes, sferën e të keqes, anën tjetër të gjysëmhënës që njohim. Nëse e mbaj mend mirë, në një pasazh të Tom Sojerit, ky I thotë shokut të tij të vockël zezak se po t’a ndihmonte të lyente gardhin me bojë, ky si shpërblim do të zbulonte fashon dhe do t’I rrëfente (ohhhh) plagën, gishtin e vrarë. Nuk është quazi-parabola biblike me Shën Thomanë që nuk beson po nuk vuri dorën në plagë: jo, është një devijancë kjo: striptiza me plagët. Si I torturonin me shufra hekuri banorët e Burrel-burgut, si u derdhnin ujë të ftohtë në mëngjes esëll gjatë dimrave nën zero, si e patën rrëmbyer vajzën e pafajshme nga Rrogozhina, përdhunimi I parë në grup, markat e cigareve të ndryshme që I fiknin në trup, si shoku Enver shokë na shkelte me këmbë. Është shkruar kaq shumë për këtë fenomenin e kujtimeve komuniste, dhe mbase nuk është lidhur me këto kujtimet e tjera në të njëjtin bistak tematik. Me të drejtë dikush I ka quajtur “telenovela” seritë me histori banale e bajate e të panevojshme mbi jetën e drejtuesve komunistë këto pallavra që botohen gazetave të Tiranës, të cilat po e banalizojnë dhe desensibilizojnë dhimbjen që duhet të shkaktonte në fakt publikimi në faqe të para I fotove të Enverit, qoftë edhe I veshur si Baba Dimri rrethuar me nipa e nuse. Para disa kohësh në Hungari në mjediset e një ndërtese të shërbimit sekret komunist, është hapur një muze I quajtur “Shtëpia e Terrorit”. Në muret e kësaj shtëpie janë varur të gjitha fotografitë e të vrarëve nga diktatura, janë afishuar dokumente mbi krimet komuniste dhe janë rikrijuar qeli burgu e vegla torturash. Vizitorë të këtij muzeu, sidomos të rinjtë, tronditen dhe revoltohen pas eksperiencës së vizitës aty. Sepse në fakt për të prodhuar këto ndjenja, për ta mbajtur të gjallë ndjeshmërinë qytetare, kujtesën për të keqen e kanë ndërtuar muzeun burrat e mençur të Hungarisë, të një vendi që siç duket e ka marrë seriozisht ndarjen me të keqen. Kurse në Shqipëri Enverit I venë mjekrrën e pambuktë të Baba Dimrit. Në fakt plagët e pambyllura të Shqipërisë e duan një çikë pambuk sipër.

Nën peshën e ekranit politik

Ervin Hatibi

Iluzioni i informimit

Në bazë të anketave të besueshme, populli që grumbullohet më masivisht rreth ekranit të televizorit (kësaj vatre moderne me një zjarr pa tym) janë të varfrit. Sa më shumë të shtohet sëra dhe sa më lart të ngrihet ashensori social, aq më shumë në përpjesëtim të zhdrejtë shkon kjo me orët që kalohen përpara ekranit. Sigurisht. Të pasurit nuk kanë kohë të kalojnë përpara televizorit, për arsyen e thjeshtë se ata janë… brenda tij. Se janë ata që i bëjnë ngjarjet, jetën mondane e politikën, ata që personifikohen e përjetësohen në filmat dhe spektaklet që finacojnë sipas midesë e interesave të veta. Dhe në një ditë ende 24 orëshe, nuk mund të gjejnë kohë të shpenzojnë para ekranit, një kohë që do t’ia vidhnin bërjes së lekut apo bërjes së qejfit. Kurse të varfrit, ngaqë nuk bëjnë dot qejf “prej vërteti” e aventura, janë të detyruar që me një kosto të lirë të energjisë elektrike, të rrijnë e të kundrojnë gojëhapur deri vonë, deri sa shuhet, zjarrin që s’ngroh të ekraneve…

Përveç varfërisë, ka edhe nja dy arsye të tjera për të parë televizor, njëra më e dobët se tjetra. Njëra nga këto është që të informohesh dhe tjetra që të kulturohesh.

Më interesanti ndër këta sebepe televizive është informimi. Informimi përmes ekranit, me figura, të jep përshtypjen shtypëse se e pe krejt të vërtetën açik; ajo po lëvizte e gjallonte gjysëm metri larg hundës tënde.

Informimi përmes mediave, sipas përkufizimeve tashmë klasike, i bie të jetë pushteti i katërt, mjeti vendimitar me të cilin njerëzia kontrollon dhe gjykon funksionimin e tre pushteteve të tjerë-legjislativit, ekzekutivit, gjyqësorit- duke u bërë kështu teorikisht më i fuqishmi pushtet për demokracinë. Por tek ne dukshëm ky pushtet është pushtuar, pushtëruar, poshtëruar, dhe si rrjedhojë edhe demokracia ku jetojmë është e tillë, në të njëjtën masë trefishe. Ashpër? Hiç fare! Vështroni sesi qytetarit realiteti i serviret nga media të ngritura me paratë e kapitalistëve të politikës, pasunarëve të rinj monopolistë e kontrabandistë që përdorën shtetin si gomone, nga një media që financohet në mënyrë selektive me para reklamash nga qeveria (përshëndes ish-kryeministrin Meksi i cili kërkoi të marrë fund kjo praktikë, nëpërmjet botimit të një gazete të qeverisë); media që furnizohet me opinione e opinionistë nga shërbimi sekret. Prandaj edhe informimi është i destinuar të degjenerojë në propagandë a publicitet. Shartimi i biznesit, politikës dhe medias rezulton thjeshtë me një lloj bashkëkohor diktature, ku robi i shkretë ka iluzionin politik se zgjedh dhe njeh kur në fakt e vërteta është bërë thjesht mediatike, e përgatitur enkas për të. Sigurisht, mashtrimi më i lehtë është me shkronjën, në shtypin e shkruar, por efektin më të fuqishëm dizinformimi e merr kur bëhet me figura dhe zë. Fokusimi i detajit në dëm të tërësisë, fragmentizimi, përsëritja e shfrenuar e imazhit të volitshëm dhe errësimi i atij problematik, ngritja nga hiçi dhe zmadhimi i ndonjë personazhi apo ngjarjeje në dëm të një pale më të merituar personazhesh a ngjarjesh… të gjitha këto bashkë në atë që quhet me pafajësi lajm, informim.

Duke u pjekur midis territoresh të pakontrollueshme urbane dhe institucionesh gati hermetike, fruti i vërtetës reale është gati i pakapshëm për masat, dhe prandaj ne kemi paguar mediat të shkojnë dhe ta vjelin atje për ne, e ato pasi e shtrydhin dhe përpunojnë, na e japin ta pijmë nën ambalazhe shumëngjyrëshe, duke na u betuar se ajo çka po pijmë është 100% natyrale, pa konservues, pa prezervativë, pa ngjyrues kimikë…

Dëfrimi banal me politikën

Mirë apo keq, të më ndjejë demokracia, kam zgjedhur të bëhem ai shqiptari i mesëm cinik e i vetmuar, që e sheh haptas se politika e madhe jona, është thjeshtë një rimorkjo që merr kthesa pa finesë lidhur pas një fuoristrade me targa të huaja, kurse ajo e vogla, politika me të brendshme, është bërë “kush ngre pallatin më të lartë, kush fut më shumë kushërinj doganierë a badigardë”… Një strukturë pazarllëqesh tribale-karikaturë e Besëlidhjes së Lezhës- ku bihet dakord për aleatët, klientët dhe armiqtë e rradhës, si edhe ku sajohen togfjalëshat e rinj të propagandës për t’i bërë ballë shmangieve publike të momentit nga demokracia, premtimet e vjetra dhe burrëria.

Në vend të votës, (një institucion që ia kemi arritur ta bëjmë qesharak) tashmë një shqiptar si unë përdor telekomandën. Nga një stacion në tjetrin i jap mbështetjen time fytyrave gazndjellëse të garipave të politikës, të cilat na ofrohen në pozat e tyre më kinematografike, që citohen në frazat e tyre më anekdotike, në shkujdesjet e tyre më alkoolike. E gjitha kjo mundësuar me kamerat dhe mikrofonët e poseduar prej duarsh të njoma ish-kamarierësh, që tani kanë marrë peng redaksitë e ndritshme të televizioneve tona. Emisioni më i ndershëm politik, është sigurisht “Diskolajmet” e fundjavës, prej të talentuarit Shkurti në Tv-Klan, ku në ndryshim me banalitetin dhe shkujdesjen djaloshare në edicionet e lajmeve apo ato të analizave, fokusimet groteske të njerëzve të pushtetshëm, janë të justifikuara që në fillim me titullin dhe zhanrin e emisionit. Dhe gjithsesi, aty komentet e abstragimet, përmes kopsitjes me batuta prej filmave të realizmit socialist, japin definicionin dhe shijen e vërtetë të kastës sonë politike në aventurat e saj të përjavshme. Të përvajshme.

Por kohët e fundit, siç është vënë re edhe nga të tjerë kolegë, në trendin më të fundit të liberalizimit mediatik të jetës politike, një kulturë e keqe protagonizmi, e nisur që me transmetimet maratonë të diskutimeve parlamentare, ka filluar të rishfaqet edhe më bruto në etjen perverse për të transmetuar në televizion debate të nxehta politike të niveleve të larta. KPD-ja, plenumi i Tiranës (Edi Rama versus demokratët në këshillin bashkiak), debati mbi SHIK. Në dallim nga uniformiteti provincial i mediokritetit nëpër transmetimet e diskutimeve parlamentare, ritmi dhe temperatura janë të garantuara në llojin e fundit të debateve. Në një Shqipëri pa yje, në një Shqipëri ku intelektualët, shkrimtarët, këngëtarët dhe aktorët pa filma e pa teatër thërriten nën armë nga politika sa herë ka nevojë ajo, detyrimisht që telenovelat narciziste të yjeve do të detyrohen t’i luajnë politikanët. Ata kanë dalë nga ekranet e dritareve-ikona të benzave të blinduar, ku tendosen me seriozitet kanonik, për t’iu dhuruar popullit në TV me gjithë mimikën e tyre molieriane, gjestikulacionet, testikulacionet, kollarot firmato, zhargonet surrogato dhe hieroglifet kuptimplote me tymin e duhanit. Të ardhur në politikë përgjithsisht nga mjedise universitare apo (gjysëm-)akademike, politikanët tanë, ish-nxënës të shkëlqyer dhe ish-sekretarë rinie, duket që ende e vuajnë atë kompleksin e vjetër të të qenit “çun i mirë”. Dhe kështu nuk humbin rastin për t’u dukur sa më maço, sa më të hidhët, sa më vulgarë para kamerave, pas të cilave dyshojnë se i gjithë populli shqiptar përbëhet nga skafistë dhe blegtorë vetmitarë, të gatshëm t’i pranojnë si të barabartë mes të barabartëve nëpër tavolinat e lira të burrërimit populist ballkano-mesdhetar.

Duke e shqyer më katërsh parimin e mirëinformimit dhe të gjithëpjesëmarrjes, transmetime të tilla minimaliste, shkojnë përtej transparencës politike dhe zgjerimit të korridoreve midis elitës dhe popullit, pushtetit dhe qytetarëve zgjedhës. Më tepër ato i ngjajnë një versioni shqiptar të spektaklit të tele-realitetit “The Big Brother” (“Vëllai i madh”, i njohur tek ne përmes versionit italian “Il grande fratello.”) Është pra ai spektakli, ku çuna e goca të reja, vetëngujohen në një shtëpi të supervrojtuar nga kamerat, të cilat i japin publikut mishngrënës të gjitha detajet e jetës së tyre ditore; të ushqyerit, llomotitjet, flirtet, zënkat, përgjumjet…gjithçka që mund t’i ndodhë robit. Hiq vetëm pjesën e mirëfilltë të marrëdhënieve seksuale, (megjithëse në ndonjë vend, janë përfshirë edhe ato). Tashmë nuk ka rëndësi çfarë thua-rëndësi ka si e thua. Nuk ka të mirë dhe të këqinj-ka vetëm simpatikë dhe jo simpatikë. Dhe tamam si në “Big Brother”, duke supozuar se janë të pavrojtuar e midis shokësh, politikanët tanë po e lirojnë fare gojën nëpër ekrane, dhe të mos na përmendë kush eksperiencat e botës, fjala vjen ato amerikane, ku debati politik televiziv ka krijuar shkollë. Këta tanët, i lejojnë vetes lloj-lloj llafi në publik, e kjo punë u kalon fare pa gjobë, në ndryshim nga vendet nga ku marrim shembuj. Është një lloj sindrome e quajtur Tourette (psikologët të më korrigjojnë) e cila përkufizon (mes të tjerash) gjendjen e njeriut i cili nuk mund të frenojë dot shtrëngimin e brendshëm për të thënë llafe të pista. Televizionet tona, në emër të të qenit si gjithë bota (cila botë mor aman!?), kanë bërë të zakonshëm përdorimin e fjalëve të ndyta orë e pa orë, vend e pa vend, duke u kthyer në laboratorë të traumatikës postdiktatoriale, ku njerëz të frustruar të moshave të mesme vjellin gjithë edukimin puritan të Enver Hoxhës. Ajo që në fillim nisi si shaka nga disa humoristë pa karakter, një herë me aludime erotike e fjalë dykuptimëshe, pastaj me eufemizma më të trasha, tashmë ka kaluar në bërtitje dhe afishim me gojën plot të fjalorit më të ulët nëpër spektakle e emisione në orët më të ndjekura. Ky marifet ekstremizoi shijet e shikuesve, dhe rrjedhimisht u huazua edhe nga politika, në doza më diplomatike, gjithë duke shfrytëzuar për hesap të karizmës personale normalizimin që rrethon tashmë banalitetin dhe vulgaren nëpër media. Kemi parë spektakle dhe emisione në kanalet serioze evropiane, të paktën në ato të Italisë e Francës, dhe nuk ka qëlluar asnjëherë t’i dëgjojmë troç disa llafe që kumbojnë pa të keq në ekranet tona homologe. Njerëzit tanë po harrojnë se të bësh humor dhe të jesh inteligjent, nuk është e domosdoshme të qelbësh gojën.

Për t’i bërë ballë kësaj sëmundje të medias dhe të kulturës politike, duket se nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, veç stërvitjes së ndonjë duzine personazhesh tredimensionalë, figura midis Avni Rustemit dhe doktor Arqilesë, që të ndërhyjnë në skenë me një spec djegës në dorë për t’ua përzhitur buzët sa herë shqiptojnë llafe të këqia adoleshentëve tanë publikë.

Unë flas, ti flet, ai flet…(Ata shikojnë…)

Që nga momenti jo fort i largët i hyrjes në fuqi të ligjeve të reja për të drejtat e autorit, ekranet shqiptare befas u çglobalizuan me një shpejtësi trishtuese. Befas gjithë ajo mori filmash hollivudianë të shfaqur nonstop, gjithë ato videoklipe muzikorë nga më të nxehtët e momentit apo të memorjes, gjithë ata dokumentarë kulturorë, shpesh edhe të papërkthyer hiç, u zhdukën nga ekranet, sapo u njoftua ora policore.

Ervin Hatibi

Në agoni e sipër ndonjë ekran rebel vazhdonte të emetonte në mënyrë të kundraligjshme imazhe lamtumire të yjeve tanë të dashur anglishtfolës në shuarje e sipër, përmes ndonjë filmi apo koncerti. Shijak-TV, televizion i me CV të admirueshme rebelimi, rroku fuqishëm flamurin e piraterisë, dhe e valëviti për disa javë jashtë territorit të ligjit, deri sa gjoba të rënda fare nga komisionet shtetërore të vigjilencës, ia shkulën me gjithë duar flamurin. Qyteti i fundit i rezistencës televizive kishte rënë. Trupat e huaja të Hollywood-it dhe MTV-së ishin tërhequr përfundimisht, dhe mbi antenat e shqiptarëve u ngrit flamuri kombëtar i izolimit krenar. Politika anti-pirateri, një operacion selektiv i cili nuk prek pirateritë në fushën e shkrimit përshembull, ishte një nga sukseset e rradhës të implikimit të interesave të biznesit të madh (në këtë rast televiziv) me politikën, për të falimentuar kështu televizionet e vogla, që e mbanin shtëpinë vetëm me miell borxh. Filloi të lulëzojë tregu i antenave parabolike, të cilat, në një krahasim të cilin nuk jam i sigurtë në e bëj unë i pari, tashmë kanë zëvendësuar me ovalitetin e tyre metalik formën e njohur po ovale të bunkerëve ushtarakë; ndërsa bunkerët ishin helmeta të maskuara me ngjyra e bimësi për të mbrojtur shqiptarët nga sulmi i të huajve, antenat e bardha parabolike janë shënjestra-targete të bardha që shqiptarët ngrehin kudo nëpër tarraca a ballkone për t’u thënë të huajve:- aman këtu jemi, qëllonani mu në kokë me ndonjë film a me ndonjë këngë se plasëm, na u thanë sytë!
Qytetarët-shikues e kanë zgjidhur duke ngrehur në ajër velat e bardha të antenave satelitore, kurse televizionet vetë, vendin bosh që e mbushnin me mall kontrabandë përpiqen ta mbushin me programe të bëra vetë. (Alternativa e dhimbshme e mallit të huaj, nuk vonoi të vinte në formë telenovelash latinoamerikane, krejt uniforme, me të njëjtat lloje dekoresh e grash e dialogjesh, të cilat të japin përshtypjen, se sado ta përdorësh telekomandën, në ekran të del vetëm një stacion…)
Po ndërkaq, rruga më e shkurtër për ta mbushur programin është të kurdisësh një talk-show. Merr një gjysëm duzine me burra a gra dhe vëri të krihen me shoku-shokun për ndonjë temë të madhe apo të vockël të ditës, për korrupsionin a për luftën në Irak, për tatuazhet në vende ekzotike të trupit, për bashkëjetesën pa kurorë, për krimin në familje a për kënaqësinë e të ngarit të makinës pa patentë… E gjitha nën dekorin e duhur shumëngjyrësh, me gazetarin-moderator, nën stratagjemën e njohur “hedh budallai një gur në lumë, futen njëqind të mençur e nuk e nxjerrin dot”. Por problemi i vetëm është se gati të gjitha stacionet televizive gati përditë organizojnë nga një apo dy talk-show-e, dhe kështu në një vend kaq të vogël si Shqipëria, me gjithë atë rrjedhje truri për në Perëndim, gati të gjithë njerëzit e mençur kanë dalë të paktën nga një herë të debatojnë në këto lloj programesh. Dhe detyrimisht, të dëshpëruar, me frikën dhe ngasjen e piraterisë në zemër, organizatorët e talk-show-eve u janë drejtuar në mënyrë të padiskriminuar gjithë qytetarëve: me shkollë, pa shkollë, me gjuhë të trashë, me gjuhë të hollë, dhe ja… e mbushëm programin edhe sot…
Po mundohem gjatë t’I gjej ndonjë fjalë zëvendësuese shqip termit talk-show, ndonëse lehtësisht thuajse gjithkush e kupton. Nisa pra për argëtim të përzgjidhja nëpër fjalorin personal diçka më kumbuese e spektakolare se “bisedë televizive”, ndonjë metaforë mbase. Jashtëzakonisht kollaj, në vazhdën noliane të orientalizimit të zhargonit, teknikë që prej vitesh shkakton breshëri gazi ndër gjimnazistët tiranas, në mend s’po më vinte gjë më piktoreske se “muhabet-sehir”, po ama edhe kjo nuk më kënaqi. M’u kujtua pastaj, se mbase ndonjë term më adapt do kërkuar në traditën jo edhe aq modeste të komunikimit masiv të krijuar gjatë epokës socialiste. Në këtë periudhë shoqërizimi të detyrueshëm, edhe debati, biseda, kritika, doemos që duheshin bërë në kolektiv, ndonëse pa dëshminë e kamerave. Fjalimi i fundit i shokut Enver, trendi i fundit në kursim apo riciklim i ndonjë kooperative bujqësore, përvjetoret e historisë kombëtare-revolucionare apo Dita e Novatorit a e Elektrifikimit të Vendit, ngjyrat e ndezura në veshje apo flokët më të gjatë se norma të çunakëve rebelë, situata aktuale në frontin Viet-kong, thatësira e gjatë apo tërmeti apo çdo lloj fenomeni tjetër mediatik natyror, të gjitha ishin tema të denja për të mbledhur kolektivin profesional apo territorial në talk-show-in e rradhës. Duke insertuar citimet më në modë nga raportet e Kongesit apo Plenumit më të afërt, që ishin si të thuash edhe bursa e vlerave idologjike, diskutimet kishin rolin e madh formues për gjithkënd, pasi personat e ushtruar për të marrë fjalën e për të diskutuar, të mësonin sa e si duhej hapur goja për momentin e dhënë historik. Të paktë janë ata që i kanë shpëtuar diskutimit, kritikës apo autokritikës, zotimit publik në talk-show-et e socializmit. Të cilat ishin pasardhëse të kulturës patriark-kolektiviste të odave të burrave, dihet. Me dallimin thelbësor se me kalimin e kohës kishte humbur thjeshtë elementi i burrërisë si edhe efekti skenik i tymit shtëllungëtar të duhanit. Seriozitet mbytës i jepte mexhliseve të burrërisë tymi mistifikues i duhanit, i cili mbulonte me maskë shprehjet e padëshirueshme të fytyrave mustaqellie, siç metaforat mbulonin mesazhet politike apo verdiktet gjyqësore apo paralajmërimet diplomatike që shqiptoheshin nën po atë tym e mustaqe. Ndërsa në odat socialiste duhej shkoqje e fjalës, sllogane të kontrolluara rituale, gjithçka doemos të dukej e qartë dhe pa ekuivoke para shqisës së kudondodhur të Partisë. Interesant është të kujtojmë, për ta mbyllur këtë shpjegim termi, se kushdo që të mblidhej nëpër këto grumbullimet diskutuese, qofshin reparte punëtorësh a ushtarësh, klasa shkolle tetëvjeçare a të mesme, banorë të një njësie, pavarësisht grupmoshave, ajo që i bashkonte në një të vetme të gjitha këto mbledhje-talk-show-e, ishte skenografija dhe toni. Skenografia mbytej në gjak nën ikonostaset puritane të marksizmit blegtoral shqiptar, me portetet e Enverit dhe të Mësuesve të Tjerë të Mëdhenj, dhe slloganet plot panik të ndërgjegjësimit për vogëlsinë tënde para Partisë e Popullit. Kurse toni, absolutisht serioz përshkonte vertikalisht të gjithë brezat e diskutantëve. Nuk besoj që një diskutim pionierësh për pyllëzimin apo ngjarjet më të fundit në Kosovë kishte më pak seriozitet e solemnitet sesa një diskutim me të njëjtën temë në kolektivin e Akademisë së Shkencave të Republikës.
Sot veç dekorit, është toni që është çtensionuar. Siç e thashë, dyndja masive nëpër ekranet e traumatizuara nga erozioni i imazhit, ka bërë që kushdo të ngjitet e të japë pak mend në publik. Lirshëm fare. Ai tipi që ishte ulur me ty në kafe deri tani dhe të kërkoi leje sapo pa orën, për disa minuta del e të shfaqet në ekranin e televizionit mbi banakun e lokalit dhe me të njëjtin ton të shpenguar vazhdon bisedën që kishte lënë përgjysëm me ty pak më parë.

13 Comments »

  1. Duke u pjekur midis territoresh të pakontrollueshme urbane dhe institucionesh gati hermetike, fruti i vërtetës reale është gati i pakapshëm për masat, dhe prandaj ne kemi paguar mediat të shkojnë dhe ta vjelin atje për ne, e ato pasi e shtrydhin dhe përpunojnë, na e japin ta pijmë nën ambalazhe shumëngjyrëshe, duke na u betuar se ajo çka po pijmë është 100% natyrale, pa konservues, pa prezervativë, pa ngjyrues kimikë…

    i shtoni edhe toshkezen kesaj se eshte me e bukur, ju lutem;
    toshkëz

    … toshkëz moj
    me hu e lopatë
    po të këndon ervini i ngratë
    ndryshe nuk e qasin gratë
    toshkëz o toshkëz
    përparimtare
    me çizme e shami basme
    shami basme nëpër gardhe
    gardhet janë nëpër ugare
    ugaret plot me fshatare
    të turpshme që punojnë
    punojnë që të rrojnë
    të rrojnë që të punojnë
    e jetë të gëzojnë

    Comment by a.m | January 12, 2008 | Reply

  2. Roma, 19 marzo 2008

    Ciao, sono un italiano di origini arberesh,

    purtroppo non parlo albanese né il dialetto arberesh di mia madre

    sono arrivato in questa pagina inserendo su google “Ervin Hatibi” per avere notizie su questo poeta albanese

    Il post originario è stato lasciato da Ervin Hatibi?

    Grazie-Faleminderit

    Comment by Cesare | March 19, 2008 | Reply

  3. ciao cesare,
    il mio italiano e un po arruginitto pero cercero di risponderti. scusi il mio grammar e scrittura.
    si, il post originale e fatto degli vecchi pezzi del Ervin Hatibi (pero senza il suo consento). sono io che gli ho mesi qui. non conosco l’autore e non ho mai communicato con lui, pero so che e bene e scrive ancora.
    best
    b

    Comment by blete | March 19, 2008 | Reply

  4. Grazie per le informazioni.

    In Italia, nonostante gli stretti rapporti con l’Albania, non esistono traduzioni di Ervin Hatibi; l’unico scrittore albanese tradotto in italiano è Ismail Kadaré, che sul piano umano mi è antipatico.

    Come procede la situazione a Gerdec? In Italia hanno fatto vedere due minuti al telegiornale, hanno detto che l’Italia “ha messo in moto gli aiuti” (quali? non si sa) e poi non se ne è più parlato, ma credo che sia stata una vera e propria catastrofe

    Comment by Cesare | March 19, 2008 | Reply

  5. estato I. Kadare che a scritto la introduzione per il primo libro di poesie di E. Hatibi. il talento saluta il talento. Non so se ci sono delle traduzioni di Hatibi in italiano, pero certe poesie sono tradotto in inglese (nel mio blog e nella pagina di Robert Elsie). Possibilmente, uno degli miei amici di blog puo fare qualcosa, perche io non posso (Il mio italiano e alb-liano. LOL)
    non so quale e la situazione propria a Gerdec, perche io vivo negli Stati Uniti. Da quello che o letto e visto, non va molto bene. la gente e giustamente arrabbiata, e quando si arrabbiano gli Albanezi, non sa mai che succeddera. ci sonno immischiati molto politichi ghe adesso griddano uno ad altro, pero tutti sonno “innocenti”. spero che tanto aiuto si e delegato alla gente che e danneggiatta in questo horrendo incidente, pero gli morti non possono essere riscusitati.

    Comment by bletebzz | March 21, 2008 | Reply

  6. Ismail Kadaré però è anti-musulmano, mentre Ervin Hatibi è orgogliosamente musulmano.

    Il tuo italiano è ottimo, migliore di quello di molti italiani.

    Hai una mail privata?

    Comment by Cesare | March 23, 2008 | Reply

  7. Cezaro, e ke nigju kongen e Qomiles, mer ?

    Ktu e ke; t’pershnes:

    C’bohet naj gjo anej ka Talja Jugut? Si po hec biznesi?

    Kadarene (arsyja e vetme qe po t’shkruj!!!) s’besoj se e ke lexu. Kshu rreshtat belqim ja ke pa, por me lexu osht muhabet tjeter, najher sport i rond shum, Zaro! Varet ka lexusi dmth.

    Comment by emigrant | March 24, 2008 | Reply

  8. Regarding Ervin Hatibi, needless to say that he represents currently the ultimate achievement of the Albanian poetry. Furthermore his complex personality as a writer and artist has already established a new school of poetry writing in Albania by inspiring a whole new generation of poets, trying to revive decades long dead Albanian poetry (which in my modest opinion represents at the same time the soul of Albanian gemeinschaft). And this is the main difference that Hatibi has with most of the known writers in Albanian language including Kadare. This last, albeit of his good semi-fictional narrative has never managed to become an inspiration of change or spiritual upbringing neither in underground nor in popular culture. In sharp difference from Kadare, Hatibi has mastered an in-depth understanding of the shades of the Albanian society and has sacrificed his talent by representing it. The best proof of this is the high intricacy that his work represents for any translator in any given language. In any case, if anyone is interested in reading something from Hatibi in foreign languages I would suggest visiting Hatibi’s own web site http://www.ervinhatibi.com. I presume it is still under construction but I believe it serves the purpose.

    Comment by Non Aligned Movement | August 21, 2008 | Reply

  9. Hi, would you please tell me what language is this you’re writing and/or what does ”temeo” means, please?
    Thank you, my mails is informed in my comment.

    Comment by 7 | February 24, 2009 | Reply

  10. S’me ka mbetur as edhe nje pike dylli per qiri bile.

    Comment by blete | October 27, 2009 | Reply

  11. nice!ke mujt edhe ma mir :P

    Comment by labrik | February 9, 2010 | Reply

  12. Re: Nexhmije Hoxha…Dhjetor 1985, not 1995. Cheerios!

    Comment by Kloudzzz | December 30, 2010 | Reply

  13. (pa autor)
    O shpirt i trazuar që qetësi nuk gjen, qetësi ku të mendoj dhe të meditoj i qetë, po a vallë mund të meditohet në të tjera kushte veç qetësisë?!
    Zhurmë… shumë zhurmë… ulërima fëmijësh, qarje kalamajsh, britma pleqsh të stresuar që kërkojnë me to të vendosin qetësinë e prishur, një botë në ikje që kërkon qetësi në fundin e saj dhe një botë e zhurmshme që rritet duke prishur qetësinë e atyre që shkojnë.
    Plogështi, ndrydhje muskujsh dhe mpirje e trurit, një trup që ndryshket dhe fillon të dhemb dhe dhemb nga oksidimi, organizmi fillon të lëngoj ngadalë, në një situatë të tillë vetëm ikja shikohet si rrugëdalje, ikje nga pështjellimi drejt ndjenjave më të fuqishme që do të ekstazojne trupin për pak kohe aq sa te mos ndjesh asgjë tjetër veç, asnjë shqetësim, asnjë zhurme asgjë tjetër veç saj dhe pastaj do të shkrihesh në ndjenjën e fajit dhe do të biesh si ai njeriu që hidhet nga lartësia, kënaqësi e shkurtër që nuk mbajti gjatë, ku je pse me hodhe në baltë, tek ty kisha lidhur shpresën e lumturisë time të përkohshme, por ti ishe kaq e përkohshme dhe tradhtare sa shumë shpejt më le, më le në pikëllimin tim të hershem më shtove dhe pikëllimin e ndarjes tënde dhe përtej saj, më mbushe për një kohe të gjatë dhe ma zbraze dashurinë dhe etjen në një çast, atë ekstazë që e kisha mbledhur me vërtik dhe për minuta të tëra për ta shijuar pafundësisht, ma zbraze ma derdhe në sekonda drithërime të parezistueshme, oh ç’ndjenje e fuqishme, një drogë e vërtetë, nuk di ç’të them dhe duart me rrjedhin mbi tastierë, pse dua ta shpreh atë që të tjerët e mbajnë brenda, atë që të tjerët nuk e shkruajnë? Mos valle edhe kjo është një ekstaze që kërkon ta nxjerr duke kërkuar të me fal kënaqësi?
    Ndjenjë boshllëku, asgjëje, kush jam unë ? nuk e di, asgjëja ndoshta, një hiç një iluzion që nuk arrin të kuptoj ekzistencën e tij, oh materie e mjere, sa e dobët që je, ti shpirtin ma deh dhe kurrë nuk ma ngop, përse? Pse rri ti me të ?pse më mundon kaq shumë, pse unë vuaj prej teje, pse vallë duhet të të lëviz të të zhdërvjelltësoj, të të lëngëzoj të të plazmoj ndryshe prej teje unë vuaj dhimbjet e tua të ndryshkjes. Rreshtat u mbushen e nuk di më çfarë, o ZOT ME FAL!

    Comment by alban | October 22, 2011 | Reply


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

%d bloggers like this: